Gjuajtësi i Iranit, “pjellë” e “Photo Shop”

12/02/2013 17:45

Irani zbuloi së fundmi me krenari avionin e tij më të përparuar ushtarak, një gjuajtjës në gjendje që të rivalizojë me modelet më të përparuara amerikane, ruse apo europiane.

Megjithatë, “Qaher-313”, duket se nuk është gjë tjetër përveçse një “superfarsë”.

Një panel ekspertësh amerikanë, pasi analizoi parametrat, telajon dhe detajet e tjera të avionit, arriti në përfundimin se modeli i ekspozuar bujshëm gjatë një inagurimi, në të cilin ishte i pranishëm presidenti Ahmadinejad, në të vërtetë nuk është në gjendje të fluturojë.

Sipas ekspertëve, gjuajtësi ka probleme të rëndësishme aerodinamike dhe konceptimi i tij e bën të pamundur ose në rastin më të mirë, inefikas modelin Q-313 në luftim.

Përsa i përket pamjes së fluturimit të gjuajtësit mbi majën më të lartë të Republikës Islamike, ekspertët besojnë se bëhet fjalë vetëm për një manipulim.

Teknika me të cilën është realizuar foto dhe mënyra se si u paraqit gjuajtësi në mediat vendase, ka krijuar bindjen e tyre se ndonëse një punim profesional, imazhi s’është asgjë tjetër përveçse një prodhim i “Photoshop”.

Sipas Iranit, që prezantoi gjuajtësin më parë gjatë shkurtit, ai është në gjendje të udhëtojë me shpejtësi më shumë se dy herë më e lartë se shpejtësia e zërit, duke mbajtur një ngarkesë të madhe armatimesh, ndërsa teknologjia e tij e zhvilluar e bën të pazbulueshëm nga radarët.

Top Channel