Kronikë e një poshtërsie të paralajmëruar

09/02/2013 00:00

Artan Mullaj – A pritej një vendim tjetër për 21 Janarin? Jo! Ishte
kronikë e një poshtërsie të paralajmëruar. Drejtësia qesharake shqiptare
është shndërruar sot në një fabul. Gjithkush që i shërben Sali Berishës
në këtë vend ka imunitet. Nuk i hyn gjemb në këmbë, bën ç’të dojë.

Të vret më mes të ditës, pa u bërë syri tërr. Por vendimi qesharak dhe provokues i Gjykatës së Tiranës solli zhuzhurima që do të shuhen shpejt. Njerëzit do ta harrojnë, ashtu si kanë harruar ngjarjet e kobshme të së shkuarës, Gërdecin, 21 Janarin dhe sigurisht vitin ’97. Shqiptarët janë njerëz që harrojnë. Harresa e tyre është aleatja më me pushtet e pushtetit.

***

Supozimi se pushtimi shekullor otoman është shkaku i gropës së historisë bie, po t’i qasemi idesë që shqiptarët nuk shquhen dhe as janë shquar ndonjëherë për kujtesë shembullore. Historia jonë ka në thellësinë e saj një mjegullnajë sunduese, e cila është shtrirë në kohë, epokë pas epoke. Paqartësia shoqëron madje edhe epokat e përndritshme, Skënderbeun, rilindësit. Mjegulla mbuloi gjithashtu periudhën e komunizmit, prej së cilës, ndodhitë shpesh na vijnë mbështjellë me pakuptueshmërinë e tyre. Pasi pushtoi regjimin, njëlloj si komunizmi sundoi shqiptarët, mjegullnaja e historisë vazhdon e zhvendoset drejt nesh, si një mallkim, deri në ditët e demokracisë sonë. Me sa duket, ne nuk kemi dhe nuk do të kemi ç’të mësojmë ndonjëherë diçka nga e shkuara… Edhe ndodhi të ditës sot kanë një rëndesë të paqartë. Dilema të mëdha rëndojnë jo rrallë ndërgjegjen e kombit shqiptar. Pse ndodhi Gërdeci, 21 Janari, pse vidhen votat, pse nuk ka drejtësi, pse mbrohen vrasësit? Pse nuk ka zhvillim të shëndetshëm, normalitet? Pasojat dhe shkaqet e tyre do të harrohen shpejt, sapo të shfaqet një pasojë e re. Në ditët tona, ngjarjet e mëdha të së shkuarës nuk luajnë rolin që duhet në marrjen e vendimeve popullore po kaq të mëdha, (si pararendëse perceptimesh), sepse ato janë të paqarta. Nuk ke ç’të përfitosh prej tyre. Ne jemi një popull që nuk dimë të mësojmë nga e shkuara, për çfarë? Sepse ajo është e paqartë, apo sepse ne jemi njerëz që harrojmë, për shkak se i tillë është kodi ynë gjenetik? Ndoshta për të dyja arsyet. Madje, në këtë logjikë, paqartësia e historisë me sa duket ndodh pikërisht për këtë gjë, për shkak se shqiptarët kanë kujtesë të dobët, harrojnë, e për pasojë, edhe falin. Ashtu si studentët ditën e provimit nuk kujtojnë prej ankthit njohuritë e marra nga leximet, edhe qytetarët bllokohen nga skleroza pikërisht në çastin më sublime, në orën e votimit. Harrojnë në orën e fatit të tyre, vrasjet, padrejtësitë, mashtrimet e politikanëve, shkakun e mizerjes së tyre, mësimet e së shkuarës. Harrojnë ç’kanë hequr nga klasa bastarde e politikës, harrojnë krimet, vjedhjet, korrupsionin dhe harbutërinë e politikanëve, që pasi ua bëjnë lesh e li jetën, u trokasin në derën e shtëpisë për t’u kërkuar votën e tyre.

 

***

Grupimi i pushtetarëve që ka monopolizuar politikën dhe alternon veten në pushtet, sipas një rotacioni të shëmtuar, e ka këtë përvojë mbresëlënëse tranzicioni. E kanë kuptuar që harresa është një cilësi e çmuar e shqiptarëve. Mund të duket spontane, por ajo i shërben mrekullisht sa karrierës, aq babëzisë së tyre. Vendi nuk ka një orientim të qartë drejt vlerave, për sa kohë sundojnë antivlerat. Sot, kusht që të jesh elitar, nuk janë gradat e titujt, por talenti për të gënjyer dhe fodullëku. Kjo të nxjerr në dritë, të bën në fillim politikan, më pas milioner. Mashtrimet e politikanëve tanë të pasur kanë qenë gjithmonë dhe gjithmonë do të jenë një rutinë. Kështu që rutinë është bërë edhe mungesa e integritetit të tyre. Rutinë e shndërruar në një zakon të shëmtuar. Gënjen Kryeministri pa i lëvizur qerpiku, për rritje ekonomike, mirëqenie, për mjekësi moderne dhe shkolla të standardeve më të larta europiane, ndërkohë që shumica e shqiptarëve kanë problem bukën e përditshme të fëmijëve. Gënjen kryebashkiaku ditën me diell, për investimet e bashkisë, për punë që nuk bëhen kurrë, për vepra që fillojnë të bëhen vetëm sa për shou mediatik. Gënjen për përmirësim të cilësisë së jetës në Tiranë, ndërkohë edhe minjtë e kanaleve e dinë që e kundërta është e vërtetë, dhe çfarë ndodh? Ai sot është “një yll në ngjitje”. Gënjejnë ministrat, vartësit e tyre, në një sipërmarrje kolektive mashtrimi publik. Janë të vetëdijshëm për këtë gjë, e kanë në sy historinë, nuk është se janë mashtrues patologjikë. E bëjnë enkas, edhe pse e dinë që askush nuk i beson, apo gjithkush bën sikur i beson. Por kjo nuk ka rëndësi. Gënjejnë, vjedhin, vrasin, ata prapë janë në pushtet. Nuk shkojnë në gjykatë, por edhe kur shkojnë, janë “të pafajshëm”. Prej 8 vitesh në pushtetin e Sali Berishës, kush gënjen dhe urren më shumë, përfiton më shumë. Është më pranë plazmës së pushtetit. Ç’është kjo prirje për të shpërfillur logjikën civile? Vështirë të shpjegohet, veçse me fenomenin në fjalë. Njerëzit harrojnë. Kur japin pushtet, njerëzit janë të përgjumur si pulat në muzg. Votojnë gabim. Mendojnë gabim. Shpërdorojnë të ardhmen e tyre. Politikanët gënjejnë sa të duan, sipas një logjike të thjeshtë: Ata grijnë e shijnë në një vend ku jo mashtrimi, por as fyerja dhe shpifja dhe vrasja nuk përbëjnë më një mëkat, sepse njerëzit harrojnë.

 

***

Çfarë është kujtesa e një shoqërie? Një pasqyrë ku shfaqen historitë, lavditë, bëmat, aventurat, mëkatet e heronjve, njerëzve të shquar, politikanëve të saj; kjo pasqyrë te ne është thyer. Vështirë të mbledhë dikush copat e shpërndara të saj, për të parë më qartë, për të kuptuar më mirë çfarë na ka ndodhur. Sot, mungesa e drejtësisë dhe mungesa e integritetit të njerëzve që udhëheqin, është një dhimbje e re mbi dhimbjen e vjetër të paqartësisë së gjërave, që sjell mungesa e kujtesës. Kjo dhimbje vërteton se si magjia e pushtetit është shpërdoruar te ne, për shkak se pushteti u besohet duarve të pista, moralit të paqenë. Njerëzit rrallë reagojnë, dhe kur ndodh kjo, ndodh spontanisht kundër ndotjes së moralit dhe zgjedhjeve gabim që vetë ata bëjnë. Arsyeja? Harrojnë shumë shpejt dhe besojnë shumë kollaj. Njerëzit harrojnë zinë dhe tragjeditë e së shkuarës, po aq mjerisht sa edhe ngazëllehen prej sukseseve të paqena. Si në një varkë mes stuhisë, besimi i shpirt-thjeshtëve shkon nga fryn era e pushtetit dhe furia e mashtrimit. E shëmtuar, por kështu ndodh. Shqiptarët harruan dhe harrojnë ’97-n përballë lavdisë së NATO-s; harruan dhe harrojnë vrasjet e shpeshta të njerëzve, përballë liberalizimit të vizave, harruan dhe po harrojnë makthin e 21 janarit, përballë zhvillimit të paqenë dhe bumit turistik që beson dhe shpreson ose bën sikur beson dhe shpreson edhe vetë Kryeministri i vendit. Për shkak të harresës, Gërdeci i frikshëm, si një fantazmë e trazuar, që sillet vërdallë në gërmadhat publike të kujtimeve, sfidohet sot nga shkëlqimi i trishtë i shifrave ekonomike, që edhe vetë ata që i thonë, i besojnë…

Do duhej që politika të ishte çështje integriteti dhe ndershmëria të fillonte te shifrat dhe të mbaronte te to. Por nuk ndodh kështu. Duke kuptuar kujtesën e brishtë të popullit të vet, pushteti kërkon të imponojë fshirje magjike të urisë popullore me shifrat që reklamon në daljet publike, për t’i shtuar “shenjtëri” misionit të saj, që nuk është thjesht mashtrimi, por është sundimi… Kjo zgjon eufori qeveritare sakaq. Euforia e pushtetit është një fuqi po aq e rrezikshme, sa është edhe babëzia e tij: Pushteti synon të ndryshojë perceptimet e njerëzve me ndihmën e iluzionit; kjo do të thotë të kërkosh t’u ndryshosh ngjyrën e qiellit njerëzve që vuajnë, por edhe harrojnë. Tek gënjejnë me autoritetin e mediokritetit dhe rastësisë meskine që i ka nxjerrë ata në skenë, ndodh shpesh që ia dalin. Për fat të keq. Por kur asgjë nuk vërtetohet dhe balta e hedhur për tjetrin bie mbi fytyrat e tyre, pushtetarët buzëqeshin si aktorë tragjedish dhe shpirtrat e tyre rrëzëllejnë prej hakmarrjes së ardhshme për të ardhmen e tjetrit: “Ne jemi këtu, votues të mjerë. Ju keni nevojë për ne, njëlloj si ne dimë të fitojmë dhe vjedhim votat tuaja edhe kur gënjejmë, edhe kur shtypim, edhe kur mohojmë, edhe kur rrezatojmë neveri. Edhe kur ju vrasim e gjykatat na lenë të lirë, ju prapë keni nevojë për ne. Sepse kjo është një botë, dhe kjo është një ekzistencë shumë e qartë për mungesën kolektive të ndjeshmërisë dhe ndershmërisë: Kjo është një botë që harron!”

Gazeta “Shqip”

Top Channel