Shumë prej më të pasurve të Azisë zhvendosen në Hong Kong, qytetin autonom brenda Kinës, të konsideruar shpesh si një lloj Monako aziatike.

Një qendër financiare, në gjendje të përthithë biznese dhe kompani të panumërta, Hong Kongu është një metropol modern, me qiellgërvishtës, rrugë rezidenciale dhe vila luksoze shumëkatëshe.

Megjithatë, qyteti ish-koloni britanike ka edhe një fytyrë tjetër të fshehur, atë të atyre më të pafatëve, që nuk arrijnë dot të sigurojnë një punë dhe jetë normale.

“Daily Mail” publikoi ditën e premte një reportazh tronditës të jetesës që shumë të varfër, arrijnë të sigurojnë në kafaze të ngjashme si ato ku mbahen qentë apo kafshët e tjera në kopshte zoologjike.

Leung Cho-yin, një ish kasap, paguhet nga shteti vetëm me një asistencë qesharake, nëpërmjet të cilës arrin të sigurojë jetesën në një “kolibe” aspak të përshtatshme për kushtet njerëzore, së bashku me shumë të varfër të tjerë.

Shtëpia e tij, nëse mund të quhet e tillë, është vetëm dy metra e gjatë dhe 80 centimetra e gjerë dhe ajo nuk rezervon asnjë lloj komoditeti të mundshëm.

Shumë prej banorëve të këtyre “koteceve” të improvizuar, me një qera prej 105 dollarësh në muaj secili, dikur kanë qenë zanatçinj që siguronin pa problem jetesën e tyre.

Megjithatë, përballë pasurimit të vazhdueshëm të qytetit, rritjes drastike të çmimeve dhe mosfunskionimit të duhur të sistemit të sigurimeve e asistencës ekonomike, shumë prej tyre duhet të jetojnë në kushte me të vërtetë të mjerueshme.


Foto: Ana tjeter e Hong Kongut, nje foto panoramike e metropolit autonom brenda Kines

Top Channel