Albpetroli, vlerësohet oferta e dytë

08/02/2013 00:00

Ministria e Ekonomisë thyen heshtjen lidhur me privatizimin e
‘Albpetrol’. Pas dështimit të ofertës prej 850 milionë eurosh të ofruar
nga kompania ‘Vetro Energy’, ministri i Ekonomisë Edmond Haxhinasto tha
se me vendim të Këshillit të Ministrave, grupi negociator ka nisur
procesin e vlerësimit të ofertës së dytë.

Kjo ofertë është 297 milionë euro, gati tre herë më pak se oferta e parë dhe është dhënë nga kompania kineze ‘ëin Business Energy’.

“Keshilli i Ministrave ka marrë vendimin, në bazë të rekomandimit nga grupi negociator, që e ka quajtur ofertën e parë të pavlefshme. Ky vendim ka autorizuar grupin negociator të vazhdoje me vlerësimin e ofertave të tjera, sic e parashikon ligji”, tha Haxhinasto.

Procesi i shumëpërfolur i privatizimit të ‘Albpetrol’ u ndërpre pasi kompania e shpallur fituese në tenderin e privatizimit, ‘Vetro Energy’, nuk depozitoi shumën prej 20 % të garancisë së kontratës siç parashikon ligji. Ndërkohë, shteti shqiptar nuk ka tërhequr ende as garancinë e ofertës prej 10 % ose 85 milionë euro.  

“Kanë filluar proceduarat ligjore per te bërë kërkesën të garancisë së ofertës që është paraqitur nga kompania”, tha Haxhinasto.

Ndonëse ekzistenca e garancisë së ofertës është vënë në pikëpyetje nga opozita, Qeveria ka deklarua se ajo është e verifikuar nga konsulenti ‘Patton Bogs’.   

Top Channel