Përhapja e internetit në Shqipëri

06/02/2013 00:00

Shekulli XXI është cilësuar si shekulli i mediave të reja. Duket se përfundmisht mediat tradicionale janë në krizë.

Në internet mund të gjesh çdo gjë në momentin që dëshiron. Informacioni aty përcillet me shpejtësi shumë të madhe, megjithëse jo pak herë ka kritika për saktësinë e këtyre lajmeve.

Por, edhe mediat më të mëdha në botë po e përshtasin aktivitetin e tyre online. Me redaksi të veçanta për këtë sektor ato kërkojnë të kapin një publik sa më të madh në çdo cep të globit.

Për të kuptuar më mirë rëndësinë e informacionit në ueb, mjafton të kujtojmë nismat e marra për gazeta vetëm në versionin elektronik nga maniati i medias, Robert Murdok.

Edhe zhvillimet mediatike në vendin tonë janë të lidhura me internetin. Përdorimi i internetit në Shqipëri ka arritur në shkallën 48.1%.

Kjo është statistika më e fundit e publikuar nga Unioni Ndërkombëtar i Telekomunikacionit, që konfirmon një përprarim të shpejt të lundrimit në internet për shoqërinë shqiptare.

Sipas të dhënave të ITU-së, internetin e përdorin rreth 1.44 milionë shqiptarë, nga rreth 2.9 milionë banorë që rezultuan nga regjistrimi i fundit i popullsisë.

Shqipëria paraqitet tashmë shumë afër niveleve mesatare të përdorimit të internetit në rajon, ndërkohë që është ende më poshtë se mesatarja prej 61.3% e 27 vendeve të Bashkimit Evropian.

Por, cilat janë faqet më të klikuara nga shqiptarët? Sipas të dhënave që ofron uebsajti i matjes së audiences në internet, “Alexa”, faqet më të klikuara janë “Facebook”, “Youtube” dhe “Google”.

Ndërsa për sa i përket faqeve informative, “Top-Channel” llogaritet si uebi më i klikuar nga shqiptarët. “Top-Chanel.tv” është në vendin e 8 235 në botë përsa i përket klikimeve.

Ndërsa faqja informative “Balkanëeb.com” është më e klikuar brenda vendit, por në renditjen botërore qëndron në pozicionin e 10 402.  Në mungesë të një studimi shkencor këto të dhëna duket se tregojnë një trend se cilat sajte zgjedhin shqiptaret për t’u informuar.

Top Channel