Fshehu shtatzëninë, sportistja përjashtohet përjetë

06/02/2013 17:05

Një sportiste portugeze u përjashtua përjetë nga pjesëmarrja në aktivitete zyrtare, pasi fshehu shtatzëninë e saj, me qëllim që të merrte pjesë në Lojërat Olimpike të Londrës.

Carolina Borges udhëtoi në Londër si pjesë e ekipit portugez të sërfit, por ajo u tërhoq disa ditë përpara zhvillimit të garës, duke informuar Federatën për këtë vendim të njëanshëm vetëm nëpërmjet një e-maili.

Hetime të mëvonshme nxorrën në pah dyshimin se Borges udhëtoi në Lojërat Olimpike e bindur që nuk do të garonte, por vetëm me qëllim që të shijonte këtë udhëtim falas dhe të takonte bashkëshortin e saj, një atlet i skuadrës olimpike amerikane.

“Instituti Portugez i Sportit dhe Rinisë pranoi rekomandimin tonë dhe ndalon atleten që të përfaqësojë në të ardhmen vendin”, informoi Komiteti Olimpik Portugez, nëpërmjet një deklarate për shtyp.

E lindur në Brazil, Borges përfaqësoi kombëraren e vendlindjes në Athinë 2004, por u transferua tek Portugalia disa vite më vonë.

Borges është e martuar me amerikanin Mark Mendelblatt, i cili konkurroi në Londër 2012 në një disiplinë të velës.

Sipas rregullores, ajo duhet të kishte informuar shtatzëninë e saj menjëherë pas mësimit të këtij lajmi dhe të tërhiqej nga pjesëmarrja në Londër automatikisht.

Top Channel