Beteja e ashpër e “smartphone”

06/02/2013 00:00

Nëse dëshiron të blesh një telefon celular inteligjent, domethënë të teknologjisë së fundit ofertat janë të shumta.

Pak ditë më parë ishte kompania “Blackberry” që prezantoi dy modele të reja të celularëve “hi-tech”.

Modeli i parë është ai “Z10” që në fillim të ngjason me një “iPhone”, por me një ekran më të madh 10.7 cm. Të dhënat tregojnë që është një telefon nga i cili pritet shumë, kamera është përmirësuar në 8 megapiksel, 2 giga ram, 16 giga memorie dhe mbi 70 mijë aplikacione.

Ndërsa modeli tjetër “Q10” është me ekran më të vogël 7.9 cm si dhe ruan traditën e “Blackberry”-t me tastierë.

Përfaqësuesit e kompanisë thonë se telefonat e rinj janë për njerëz që kanë lidhje të forta shoqërore dhe që kanë nevojë për ekuilibër në jetën personale dhe atë profesionale.

Ekspertët e kanë cilësuar ndryshimin e sjellë nga “Blackberry”, ndoshta si mundësinë e fundit të kompanisë kanadeze për të qëndruar përballë konkurrentëve të fuqishëm si “Apple” dhe “Google”.

Nëse mendoni sa kushton ky telefon i ri, është herët për të folur, në mars pritet që të fillojnë shitjet ndërkohë çmimi ende nuk është publikur, por pritet i shtrenjtë.

Ndërkohë, “Samsung Galaxy S3” vazhdon të jetë ndër smartfonët më të preferuar. Me një kamera 8 megapiksel dhe mijëra aplikacione që ofron “Androidi”, bëjnë që produkti i kompanisë koreanojugore mos të na zhgënjejë.

Çmimi i tij varion mbi 500 euro. Ndërkohë, çmimi i lartë detyroi “Samsung”-un të lëshojë modelin tjetër “Galaxy S3 Mini” me çmim më të ulët.

Konkurrenca e përjetshme e “Samsung”-ut vazhdon me “Apple” e cila me “Iphone 5” duket se nuk ka qëlluar plotësisht në shenjë.

Megjithëse shitjet kanë qenë të shumta, duket se cmimi i lartë që vazhdon ta karakterizojë këtë kompani elitare ka bërë që fitimet të mos jenë në nivelin e pritshmërive.

Gjithsesi “Apple” ka gjithmonë një plan B, ata po përgatisin të hedhin në treg modele të reja të “iPhone 5 mini” apo “iPhone 5S”. Sot, një “iPhone 5” kushton rreth 650 euro.

Ndërkohë, kompani të tjera vazhdojnë të prodhojnë produkte teknologjike të fjalës së funidt, që ia bëjnë njeriut komunikimin më të lehtë.

Përveç telefonave celularë vazhdojnë të zhvillohen tabletat që duket se janë një burim i jashtëzakonshëm fitimi për kompanitë prodhuese. E vetmja gjë që të pengon për të pasur produktet “hi-tech” është cmimi i lartë.

Top Channel