Trailera premierë në finalen e Super Bowl

05/02/2013 00:00

Trailerat e filmave të rinj që së shpejti pritet të dominojnë majat e
klasifikimeve u transmetuan gjatë evenimentit madhështor të finales së
Super Bowl.

Spotet, mes të cilëve ata të filmave “Star Trek” dhe “Iron Man”, u transmetuan gjatë hapësirave publicitare me një kosto prej 4 milionë dollarë për 30 sekonda.

Megjithatë kompanitë kinematografike e kërkuan hapësirën jo vetëm për promovim, por edhe për prestigj, thotë Paul Dergarabedian, analist i Hollywood.com.

“Nëse s’ke një film për të promovuar gjatë finales së Super Bowl, atëherë ndoshta nuk je aq i fortë sa duhet”, ka thënë analisti.

Mes studiove kinematografike që prezantuan prodhimet e tyre të fundit spikati “Disney”, me tre filma me buxhet të madh: “Iron Man 3”, “The Wizard of Oz” dhe “The Lone Ranger” me Johnny Depp.

Filma të tjerë që u transmetuan me shpresë për të tërhequr vëmendjen e tifozëve ishin “World War Z”, një histori zombish me Brad Pitt, “Star Trek Into Darkness” dhe episodi i gjashtë i sagës “Fast and Furious”.

“Këtu është vendi ku studiot kanë mundësi të mbjellin farat e argëtimit përmes filmave me buxhetet më të mëdha të vitit”, ka shtuar Dergarabedian.

Super Bowl këtë vit u fitua nga Baltimore Ravens, që mposhtën 34-31 rivalët e San Francisco 49, në stadiumin e Nju Orlinsit. Evenimenti tërheq një audiencë prej më shumë se 100 milionë telespektatorësh, edhe pse statistikat për këtë vit nuk janë publikuar ende.

Top Channel