Fshati që kultivon gjarpërinj

05/02/2013 00:00

Më 9 shkurt kinezët do të festojnë vitin e ri, që këtë vit njihet ndryshe si viti i gjarpërit. Shumë persona njohuritë e vetme që kanë për këta reptilë është se ata shpesh janë helmues vdekje-prurës.

Por gjarpërinjtë janë të dobishëm, jo vetëm për të mos këputur zinxhirin ushqimor, por edhe për shkak se shumë medikamente mjekësore janë produkt i drejpërdrejtë apo i tërthortë i tyre, për të mos folur pastaj që në Kinë janë edhe të ngrënshëm.

Zisiqiao është një fshat në provincën Zhejiang në Kinë, strehë e më shumë se 3 milion gjarpërinjve. Këtu reptilët kultivohen nëpër ferma. Ata mbahen të izoluar në habitate artificiale të krijuara nga fermerët që i kanë hyrë këtij biznesi të vecantë.

Shumë prej këtyre gjarpërinjve janë helmues, por fermerët kinezë janë njohës të mirë të tyre dhe në gjendje të tregojnë se cili gjarpër vlen më shumë e cili më pak. Ka lloje që përdoren për prodhimin e medikamenteve kuruese të lëkurës, ka të tjerë që luftojnë alergjitë, pastaj ka të tjerë që shiten për “mish” në restorante tradicionale kineze.

Kultivimi i gjarpërit i ka dhënë emrin këtij fshati, “Fshati i Gjarpërinjve” e për shkak të kësaj, me hyrjen e vitit të gjarpërit, banorët e këtij fshati janë plot shpresë për rritjen e përfitimeve nga bizneset e tyre.

Top Channel