Gjermanët pushtojnë Rusinë…me instrumenta

29/01/2013 00:00

Gjermanët do të zbarkojnë sërish në Volgograd (ish-Stalingradi), por këtë herë jo me armë, por me instrumente muzikore.

70 pjesëtarë të orkestrës filarmonike të Osnaburgut do të udhëtojnë drejt Rusisë për të mbajtur një koncert të përbashkët me 80 kolegët rusë të Volgogradit në përvjetorin e 70-të të betejës së Stalingradit, betejë e fituar nga sovjetikët pas shumë e shumë sakrificash dhe që shihet si ndër faktorët që përcaktoi përfundimisht fituesit e Luftës së Dytë Botërore.

Koncerti i përbashkët i rusëve dhe gjermanëve do të përfshijë 150 muzikantë dhe do të titullohet “Muzika kundër luftës”. Zemra e koncertit do të jetë Simfonia e Nëntë e Bethovenit.

Kjo është hera e parë pas Luftës së Dytë Botërore që gjermanët dhe rusët përkujtojnë bashkë një ndër betejat më të ashpra të të gjithë historisë së njerëzimit.

Top Channel