Ekzekutohet babai që hëngri fëmijët nga uria

28/01/2013 16:55

Një koreanoverior u ekzekutua pasi vrau dhe hëngri dy fëmijët e tij, raportoi “Daily Mail” ditën e hënë, duke cituar burime brenda vendit më të izoluar të botës.

Sanksionet e reja ndërkombëtare, bashkuar me shpenzimet marramendëse ushtarake, duket se po krijojnë një zi të re buke në vendin komunist me 25 milionë banorë.

Sipas raportimeve, gjendja është dramatike, sidomos në provincat e largëta me kryeqytetin Penian, ku po regjistrohen raste në rritje të kanibalizmit.

Në krahinat malore të Hvanghas veriore dhe jugore (dy krahina të ndryshme), pranë kufirit me Kinën, sipas të përditshmes britanike, janë raportuar 10 mijë vdekje prej kanibalizmit dhe shteti është detyruar të urdhërojë policët e ushtarët në zonë që të ekzekutojnë pa gjyq këdo që tenton apo kryen një vrasje, me qëllim ngrënien e mishit njerëzor.

Si pasojë e politikave të gabuara ekonomike dhe shpenzimeve marramendëse për programin bërthamor e shpenzimet e tjera ushtarake, bashkuar me sanksionet ndërkombëtare, Korea e Veriut përballet prej dy dekadash me mungesë të furnizimeve ushqimore.

Në vitin 1994, kur vendi drejtohej nga Kim Jong-il, babai i liderit aktual, Kim Jong-un, një zi 4-vjeçare buke besohet se i mori jetën tre milionë koreanoveriorëve, në një popullësi prej 22 milionë banorësh në atë kohë.

Aktualisht, pjesa dërrmuese e popullsisë vuan pasoja të kequshqyrjes, ndërsa sipas raportimeve, një seri përmbytjesh gjatë 2012-s, mund të kenë rënduar edhe më shumë gjendjen ushqimore në vend, për shkak të dëmtimit të të mbjellave.

Top Channel