Presidenti i Sirisë, Bashar al-Assad, po mbetet gjithmonë e më shumë në duart të grave, ndërsa burrat “po mbarojnë” me shumë ushtarë të vrarë, plagosur apo kapur si robër lufte në luftimet me kryengritësit.

Për këtë arsye, duke marrë shembullin e ish-diktatorit të Libisë, Muammar Gaddafit, në Siri kanë nisur të formohen batalionet e para ushtarake të “luaneshave”, ushtareve besnike që janë të gatshme të japin jetën për presidentin e tyre.

Mbi 500 vajza dhe gra u shndërruan në rekrutet e para, të kësaj njësie paraushtarake që do të shërbejë kryesisht në patrullim dhe kontrolle ne postoblloqe.

Të quajtura “Luaneshat e Mbrojtjes Kombëtare”, ushtaret morën një stërvitje të mirëfilltë ushtarake në një bazë në afërsi të qytetit të Homsit, duke u trajnuar për qitje, vendosje eksplozivësh dhe luftë urbane, midis të tjerave.

Një video e publikuar në rrjetin “Youtube”, tregoi të mërkurën të paktën dhjetë ushtare, të armatosura me kallashnikovë, që shërbenin në një postobllok në hyrje të qytetit të Homsit, duke vërtetuar se një pjesë e rekruteve, tashmë kanë hyrë zyrtarisht në shërbim.

Më shumë se 60 mijë sirianë kanë humbur jetën në luftën civile të nisur në mars 2011, nga të cilët më shumë se 14 mijë ushtarë apo milicë të al-Assadit.

Top Channel