Ankesat e konsumatorëve për ushqimet

23/01/2013 17:50

Konsumatori është një nga hallkat më të rëndësishme të shoqërisë. Shpesh ai konstaton probleme, shkelje dhe parregullsi në produktet që konsumon, megjithatë janë të pakta rastet kur një qytetar merr iniciativën të flasë dhe të denoncojë rastin.

Sipas qytetarëve, arsyet e mosreagimit janë nga më të ndryshmet, duke filluar që nga frika për të vënë emrin në fund të shkresës; frika për të përmendur emrin e biznesit i cili ka bërë shkeljen; mungesa e besimit tek institucionet përkatëse për të zgjidhur problemin, neglizhenca apo edhe thjesht mungesa e informacionit për institucionet përgjegjëse ku duhet të drejtojë ankesën e tij.

Në shtetin shqiptar ekzistojnë disa institucione ku qytetari mund të bëjë ankesën e tij.

Autoritetin Kombëtar të Ushqimit, konsumatori ka mundësi të dërgojë ankesën e tij nëpërmjet numrit jeshil pa pagesë: 08007575, nëpërmjet postës elektronike: [email protected] si dhe postës së thjeshtë. Mjafton që në ankesë të citohet biznesi, vendndodhja e tij, problemi që ka konstatuar tek produkti si dhe kuponi tatimor i produktit.

Së dyti, Agjencia për Mbrojtjen e Konsumatorit nën administrimin e Bashkisë së Tiranës. Mundësitë e kontaktit janë nëpërmjet numrit të telefonit: 042274774 si dhe në adresën e e-mailit: [email protected].

“Informohu, informo dhe reago” është një nga parimet kryesore të Zyrës për Mbrojtjen e Konsumatorit. Në faqen e tyre të internetit ekziston mundësia për të shprehur ankesën tuaj.

Pranë Autoritetit Shëndetësor Rajonal qytetarët kanë një tjetër mundësi ku mund të drejtojnë ankesat e tyre nëpërmjet një letre me shkrim drejtuar institucionit në adresën e e-mailit [email protected] si dhe në numrin e telefonit 0355 4 23 47 438.

Shoqata e Konsumatorit Shqiptar është një tjetër mundësi ku qytetarët mund të plotësojnë formularin e kërkesës dhe ankesës së konsumatorit, mund të kontaktojnë në numrin e telefonit: 00355 4 2 234216 ose duke shkruar personalisht një ankesë në ambientet e SHKSH-së në rrugën “4 Shkurti”.

Një nga denoncimet e fundit në media nga shoqata e konsumatorit është bërë me dije se janë regjistruar 684 ankesa për peshën e bukës dhe ndotjen e saj nga elemenëtë të huaj; 128 ankesa mbi abuzimet me metrazhet; 437 ankesa për mashtrime të ndyshme në produkte ushqimore dhe 2635 ankesa për tregjet e rrugës dhe ushqimet e skaduara.

Sipas drejtuesve, ankesat e qytetarëve renditen në dosjet përkatëse sipas cëshjeve dhe më pas iu dërgohen institucioneve përgjegjëse për të ndjekur procedurat.

Top Channel