Muaji janar ka sjellë disa ditë të ftohta në Shqipëri dhe në të gjithë Hemisferën e Veriut, por temperaturat e këtij dimri nuk janë asgjë krahasuar me të ftohtin që përjeton Oimiakoni.

Një fshat me rreth 500 banorë, i pozicionuar në verilindje të Federatës Ruse, ky vendbanim është i pari në listën e vendbanimeve më të ftohta të banuara në botë, me temperaturat që janë edhe më të ulta se në Polin e Veriut.

Aq e ftohtë është klima në këtë zonë të banuar të Jakutias (emri i krahinës), sa temperaturat prej -40 gradësh, në muajin janar, do të konsideroheshin si “tepër të ngrohta”.

Në fakt, Oimiakoni është mësuar që të mbyllë shkollat, dhe kjo prej faktit se oksigjeni fillon bëhet i lëngshëm, në -55 gradë, ndërsa janari ka temperatura të zakonshme midis minus 50-60 gradë.

Në këtë fshat është regjistruar edhe temperatura më e ulët në një zonë të banuar, prej -71,8 gradësh, e cila tejkalohet vetëm nga rekordi absolut prej -89 gradësh në Antarktidë.

Jeta për banorët e Oimiakonit, siç mund të imagjinohet është e vështirë, me banorët që janë të detyruar të sigurojnë ushqimin vjetor në tre muajt e ngrohtë të verës, ku temperatura, për shkak të karakteristikave të klimës ekstreme subartike, arrin deri në 30-35 gradë mbi zero.

Megjithatë, në një vit, shtatë muaj kalojnë të ngrirë, ndërsa drita e diellit kufizohet në vetëm tre orë dimër dhe zgjatet në 21 orë në verë.

Banorët, të vizituar nga një grup fotografësh europianë, treguan se jetesa në dimër bëhet e mundur vetëm prej ujrave termalë, që sigurojnë ujë të rrjedhshëm dhe të pijshëm në çdo periudhë të vitit, ndërsa treguan se për ta, gjëja më e vështirë është të varrosin një person që ndërron jetë në dimër, pasi për shkak të trashësisë së akullit dhe riformimit të menjëhershëm të tij pas thyerjes, duhen deri në tre ditë punë të vazhdueshme për të hapur një gropë.


Foto: Jakutsku, kryeqyteti i krahines me te ftohte ne bote, ku ndodhet edhe Oimiakoni, jeton nje dite te zakonshme dimri, pavaresisht temperaturave -48 grade ne momentin e fotografise. Qyteti, shtepi e 250 mije banoreve, sherbehet normalisht nga nje aeroport, rruget mbeten te hapura, ashtu si kinemate, operat dhe shkollat

Top Channel