Të dashur me qira për të shmangur “tersin”

19/01/2013 00:00

Vit i ri, i dashuri i ri…por me qira. Kinezët përgatiten të festojnë ndërrimin e viteve, i njohur ndryshe si Viti i Ri kinez, që këtë vit ndërrohet më 10 shkurt, e ku do të kalohet nga viti i Dragoit tek viti i Gjarpërit.

Dhe ashtu sic e do tradita, rreth 500 milion kinezë, që jetojnë e punojnë brenda vendit, por larg vendlindjes së tyre, do të rikthehen në vendet e origjinës për të festuar me familjarët dhe të afërmit.

Pikërisht rikthimi është problemi, sidomos për vajzat. Nëse rikthehen tek familja e tyre vetëm, do të thotë që e ardhmja e tyre është e pasigurtë, përkundrazi nëse për festime me familjen, me to në krah është “një mik special”, do të thotë që e ardhmja dhe familja është e sigurtë.

Por rrethanat jo gjithmonë të takojnë me “mikun special” dhe paraqitja e vetme rrezikon një figurë të keqe para familjes dhe të afërmve. Për të shmangur këtë, ka menduar një faqe interneti. Taobao është e mbushur me njoftime të meshkujve që vetëofrohen “të dashur me qira” vetëm për ditët e festave.

Kjo përkthehet se ata do të sakrifikojnë pushimet e tyre e kjo s’mund të bëhet falas, ndaj i kanë vendosur një çmim. Mesatarisht çmimi është diku tek 3 mijë huan ose 350 euro, pa përfshirë këtu edhe shpenzimet e tjera, si udhëtimi apo edhe veshja për t’u dukur sa më elegant përballë prindërve të “punëdhënëses”.

Taobao funksionon prej pak vitesh dhe numri i femrave që kanë gjetur “zgjidhje të problemit” me anë të tij ka ardhur gjithmonë në rritje. Kjo shpjegohet me traditën dhe mentalitetin, sidomos në provincat kineze, ku kthimi i vajzës për vit të ri me statusin “beqare” konsiderohet si “ters”.

Top Channel