“Të banosh në Manhatan, privilegj i Kamzës”

18/01/2013 00:00

Ta shndërrojmë qytetin në një qendër urbane të modernizuar. Me këtë moto Bashkia e Kamzës dhe këshilli bashkiak i qytetit, ka pagëzuar me emra si “Silvio Berlusconi”, “Paris”, “Nikolas Sarkozy”, “Mozart” apo “Manhatan” rrugët dhe lagjet në territorin e njësisë së tyre.

Nisma, përvec bujës në Shqipëri ka tërhequr vëmendjen e dhe të një gazete prestigjoze spanjolle, sic është “El Mundo” e cila në artikullin e saj kushtuar kësaj teme shkruan:

“Të jetosh në rrugë me baltë, por me emra plot ngjyra si Silvio Berlusconi, Nikolas Sarkozy, Mozart dhe të punosh në lagjet Manhatan, Coca-Cola, Paris, Meksikë apo Dubai është një privilegj që e gëzojnë vetëm banorët e qytetit të Kamzës në Shqipëri, vetëm 7 kilometra larg kryeqytetit shqiptar.”

Në shkrimin e gazetës spanjolle jepet edhe historiku i qytezës. Gjatë regjimit komunist, shkruan “El Mundo”, Kamza ishte një fermë me 6 mijë banorë, ndërsa sot kalon 10 mijë të tillë.

“Në Nju Jork shiten rroba të përdorura, ndërsa në Manhatan shiten pula, presh, domate dhe perime të tjera”, ironizon El Mundo duke vijuar më pas edhe në përshkrimin e rrugëve.

“Në rrugën Londër kalimtarët duhet të kenë kujdes mos të bien në gropat e rrugës, ndërsa ata që banojnë në rrugët Bruksel, Uashington, Berlin dhe Milano janë më me fat se ata që jetojnë në rrugën Berluskoni, që duket më shumë si një shteg fshati”, shkruan gazeta spanjolle.

 

Top Channel