Studimi: Autizmi mund të shërohet

16/01/2013 00:00

Për herë të parë një studim i një grupi mjekësh dhe psikologësh amerikanë vendos në pikëpyetje mendimin e përgjithshëm se autizmi është një sëmundje që shoqëron të sëmurin që nga lindja e deri në vdekje.

Studimi u ndërmor nga një grup studiuesish në Institutin Kombëtar të Shëndetit në SHBA. Pjesë e studimit disa-vjeçar ishin në total 112 fëmijë, por në 32 prej tyre, që në fëmijëri ishin diagnostikuar me autizëm, u mbështeten më fort studimet mjekësore dhe psikologjike.

Në përfundim të këtyre analizave, rezultoi se disa prej këtyre fëmijëve, që në vegjëli ishin diagnostikuar si autistë, me rritjen në moshë kuroheshin vetëvetiu duke mos patur asnjë ndryshim me bashkëmoshatarët e tyre.

Megjithatë, studiuesit amerikanë shtojnë se nuk është koha për eufori pasi duhet akoma shumë punë, e para për të qenë 100 përqind të sigurtë që vitet shërojnë autizmin dhe e dyta, nëse kjo është e vërtetë, cilët janë faktorët e tjerë që ndihmojnë në këtë shërim.

Studimi u botua në revistën “Psikologjia dhe psikiatria e fëmijëve” (Child Psychology and Psychiatry) në Shtetet e Bashkuara.

Top Channel