Google: Po fitojmë “luftën” me Apple

16/01/2013 00:00

“Po fitojmë betejën tonë me Apple”. Ky është vlerësimi i Eric Schmidt, presidenti i Google që në një intervistë për revistën ekonomike “Bloomberg” dha të dhëna, që sipas tij, tregojnë gjithnjë e më shumë fitimin e terrenit ndaj gjigantit tjetër amerikan të teknologjisë.

Dhe “lufta” mes dy kompanive amerikane është zhvendosur në tregun e telefonisë celulare. Apple në vitet e fundit ka dominuar këtë treg falë risisë iPhone dhe sistemit të operimit iOS. Por tendenca në vitin 2012 tregoi për një braktisje të “Mollës” nga ana e klientëve dhe dyndje të tyre drejt sistemit Android të Google.

“Çdo ditë aktivizohen mesatarisht 1.3 milion sisteme android, e përkthyer në thuajse gjysmë miliard në vit dhe përqindjet në treg tashmë janë në favorin tonë”, thotë Schmidt.

Në fakt, numri një i Google bazohet tek të dhënat e publikuar së fundmi nga revista e studimit të tregjeve Gartner. Sipas kësaj reviste, në 3 mujorin e fundit të vitit 2012, 72 përqind e telefonave të shitur, mbartnin sistemin Android dhe vetëm 14 përqind iOS e Apple.

Schmidt në analizën e tij bën edhe një krahasim duke paralelizuar konkurencën mes kompanisë së tij dhe Apple me atë mes Apple dhe Microsoft 20 vite më parë. Tregu i pakët i kompjuterave në ato vite ishte i dominuar nga Apple, por Microsoft dalëngadalë revolucionarizoi këtë shërbim duke ofruar sisteme kompjuterikë që mund të bliheshin nga një shtresë më e gjërë.

E njëjta taktikë po aplikohet tani edhe nga Google me Android-in e saj. Kompania ofron falas këtë sistem për të gjithë përdoruesit, dhe fitimet mbërrijnë vetëm nga palë të treta të interesuara për reklamim apo për shpërndarje të shërbimeve të tyre nëpërmjet këtij sistemi.

Sigurisht në bazë të këtyre të dhënave Apple duhet të frikësohet, e pse jo ndoshta të ndryshojë dicka, megjithëse në Wall Street vlerësohet si kompani më e vlefshme se Google dhe Microsoft të marra së bashku.

Top Channel