Tezet, shoqet më të mira të mbesave

15/01/2013 18:35

Një fjalë e urtë thotë: vetëm një teze di të të përqafojë si një nënë, të mbajë sekretet e tua si një motër dhe të të ndihmojë dhe dojë si një shoqe.

Ato që kanë teze e kuptojnë shumë mirë se sa e vërtetë që është një gjë e tillë. Por, veçanërisht ato që kanë një marrëdhënie të veçantë me tezet e tyre, një marrëdhënie që mund të ketë nisur që në fëmijëri dhe me kalimin e viteve është forcuar e zbukuruar duke u shndërruar në një lidhje unike. Një teze, në disa raste, mund të të ndihmojë më shumë se një nënë sepse pozicioni i saj është shumë special.
 
Sidomos sot, kur prindërit, mamatë veçanërisht, janë shumë të zëna në punë dhe i kushtojnë gjithnjë e më pak kohë fëmijëve, vajzave të tyre, “ushtria e tezeve” duhet mobilizuar. Dihet se tezet shpesh janë “dëgjueset” më të mira të sekreteve të mbesave të tyre, veçanërisht kur adoleshentet përjetojnë momente të vështira, sidomos në shkollë, por edhe kur përballen me probleme të tilla si anoreksia, tallja, apo edhe dhuna e drejtpërdrejtë.  

Tezet shpesh mund të japin këshillat më të mira në lidhje me çështje për të cilat nënat do ta kishin të vështirë tu flisnin bijave të tyre. Një teze ndërkohe është edhe gazmore e argëtuese dhe me të mund të zbavitesh shumë. Kjo sepse një nënë në radhë të parë merret me sigurinë e së bijës dhe jo gjithmonë mund të jetë edhe shumë gazmore apo tolerante. Ka psikologë sot që i japin shumë rëndësi rolit të tezes në jetën e një vajze dhe adoleshenteje. Ajo mund të jetë mentorja e duhur, udhëzuesja dhe mbështetësja e mbesës. Shpesh, kur një teze është në gjendje të mirë finaciare ndihmon mbesën që të bëjë një udhëtim apo të blejë diçka të cilën prindërit nuk kanë mundësi që t’ja blejnë.

Roli i një tezeje del më i qartë dhe bëhet më i domosdoshëm se kurrë në rastet kur mamaja e mbesës, pra motra, divorcohet dhe mbetet vetëm. Një divorc krijon tek gruaja depresion dhe te fëmijët e saj ndjenja vetmie dhe braktisjeje. Një teze në këtë situatë ka shumë punë për të bërë përsa i takon normalizimit të situatës dhe ndihmës për të kaluar periudhën e vështirë të tranzicionit nga një gjendje e vjetër në një gjendje të re. Sigurisht një teze nuk mund të zëvendësojë kurrë mamanë, dashurinë dhe përkushtimin e saj, por mund të jetë një mbështetëse e jashtëzakonshme për mbesën dhe mbi të gjitha një rol model në një shoqëri ku media nxjerr në pah jo gjithmonë personazhe që të frymëzojnë me veprat dhe qëndrimet e tyre.

Ja si shprehen disa nga personazhet e famshme për mbesat e tyre. Këngëtarja Beyonce është një teze e devotshme për mbesën e saj Juelz dhe kjo është një marrëdhënie nga e cila këngëtarja ka pasur shumë sadisfaksion. Këngëtarja thotë: nuk e dija se do të isha një teze fenomenale. Është një nga lidhjet më të bukura që kam në jetë dhe shpresoj kështu të jetë gjithmonë.

Mbesa e Julia Roberts, Emma Roberts, ka interpretuar edhe në disa filma me tezen e saj dhe thotë për të se në disa raste Julia ka pasur ndikim në jetën e saj më shumë se vetë e ëma.

Lady Gaga i jep meritën tezes së saj e cila e shpëtoi nga varësia ndaj kokainës. Tezja ime, thotë Lady Gaga, ishte poete në shpirt dhe pikërisht shpirti i saj më shpëtoi.

Një raport i veçantë teze-mbesë

Megi Bego, ditën që ka ardhur në jetë “ka bërë për vete” një shoqe të ngushtë me të cilën qysh në momentin që ka nisur të flasë ndan dëshirat e sekretet e saj. Ajo është teze Arlinda.

“Unë me tezen flas për gjithçka, bisedojmë deri vonë kur ajo fle nga mua”, thotë Megi.

Arlinda Balla është me profesion gazetare, duhet të punojë me orë të zgjatura, por kjo nuk e pengon aspak që çdo ditë të gjejë kohën për të takuar mbesën e saj: “Kemi marrëdhënie shumë të veçantë. Nuk rrimë dot pa njëra-tjetrën. Ma ka mbushur jetën me bekim.”

Arlinda është gjithmonë pranë Megit, veçanërisht kur ajo do të zgjedhë një libër apo kur ka vështirësi me detyrat e shtëpisë. Teze Arlinda e llaston mbesën më shumë se prindërit, por më pak se gjyshërit. Ajo e di se çfarë i pëlqen më shumë dhe mundohet t’ia bëjë qejfin gjithmonë.

Megi thotë: “Dalim shëtitje, bëjmë pazar ose shkojmë në kinema…”

Që marrëdhënia të jetë e fortë e ato të mos humbasin gjërat e rëndësishme në jetën e njëra-tjetrës kanë vendosur disa rregulla. Arlinda tregon: “Kemi vendosur disa rregulla dhe një nga më kryesoret është të takohemi çdo javë.”

Mundohen që rregullat të cilat i dinë vetëm ato të dyja e askush tjetër t’i zbatojnë me përpikmëri, në të kundërt teze Arlinda di të jetë edhe e rreptë: “Kur Megi më gënjeu nuk kemi folur 3 ditë derisa Megi më kërkoi falje dhe premtoi që nuk do e përsëriste më gabimin.”

Megi ndihet e lumtur për marrëdhënien e ngushtë që ka me tezen. Një lidhje shumë të afërt që shoqet e saj nuk e kanë. Komunikimi “pa doreza” është investimi më i mirë që po bëjnë për të patur një marrëdhënie po kaq të bukur edhe në të ardhmen.

Arlinda thotë: “Megi më tregon gjithçka. Bëhet shumë xheloze kur unë dal me shoqërinë time. Nuk e mendoj jetën pa Megin dhe do jemi shoqe shumë të mira gjithmonë.”

Marrëdhënia mes motrave

Lidhja mes motrave është një marrëdhënie shumë e veçantë. Shpesh kimia e tyre i kthen në shëmbëlltyrë të njëra-tjetrës jo vetëm në mënyrën e të menduarit, por edhe ndjekjen e hapave.

Janë të pranishme e shohin ngjarjet që ndodhin në të mirë e në të keq e sërish duhen shumë. Janë bashkëpunëtore në gabimet e vogla, avokat mbrojtës, mësuese… Por jo rrallë herë motra e madhe ndodh të kthehet në “agjentin personal”që kontrollon gjithçka që bën e vogla. Kjo është arsyeja që ndonjëherë motra e vogël do të dëshironte të ishte fëmijë i vetëm.

Kur bëhet fjalë për dhimbshuri për të përmirësuar raportin nuk ka formulë magjike ajo vjen natyrshëm duke qëndruar pranë. Por motra e madhe duhet të jetë e kujdesshme të mos i imponohet motrës së vogël në mendimet dhe zgjedhjet e saj.

Motra e madhe duhet të jetë një shembull pozitiv

Motra e vogël mund t’ju admirojë dhe të frymëzohet nga ju në atë çka do të bëjë në të ardhmen. Me shumë delikatesë duhet t’i tregojë motrës së vogël se cilat janë gjërat që ajo duhet dhe nuk duhet të bëjë, gjithmonë duke u treguar shumë e kujdesshme. Me shumë gjasa nëse trajtohet në këtë mënyrë ajo do të jetë më e sjellshme me ju dhe njerëzit që ju rrethojnë.

Motra e madhe duhet të shmangë grindjet me miqtë apo mikeshat e saj në prani të motrës më të vogël. Duhet të kujtoni gjithmonë se jeni model për të. Nëse kjo gjë ndodh, atëherë duhet të qetësoni motrën tuaj dhe t’i shpjegoni sa më thjeshtë situatën.

Bëni aktivitete argëtuese së bashku

Motrës së vogël i pëlqen të luajë me motrën e madhe. Nëse ajo ka një hobi të caktuar si volejboll apo basketboll, luani me të. Kjo gjë e bën të ndihet e rëndësishme përpara jush.

Bëjeni motrën e vogël të ndihet e dobishme duke i dhënë detyra që ajo i përmbush me lehtësi

Pavarësisht se mund të jeni disa vite më e madhe se motra juaj mos u përpiqni të bëheni prind. Ky rol i takon dikujt tjetër. Ju duhet të përpiqeni të jeni një shoqe e ngushtë për të.

Mos u përpiqni të jeni tepër dominuese kundrejt motrës tuaj. Ju jeni disa vite më e madhe, por jeni të barabarta

Tregojuni të gjithëve për lidhjen jashtëzakonisht të bukur që keni me motrën tuaj. Kjo gjë do ta bëjë atë të ndihet e rrethuar me shumë dashuri.

Top Channel