Kur aventura përfundon tragjikisht

09/01/2013 00:00

Një 27-vjeçar, baba i dy fëmijëve humbi jetën tragjikisht në kërkim të adrenalinës në resortin turistik dimëror Dombai, në jug të Rusisë.

I riu ishte ndër personat e apasionuar pas sportit të zorbas ku njerëzit futen brenda një sfere plastike gjigante që lëshohet në pistat e skiimit.

Por aventura e radhës e Denis Burakov, 27 vjeç dhe Vladimir Shcherbov përfundoi tragjikisht. Sfera gjigante prej plastike doli jashtë kontrollit dhe u rrokullis për më shumë se 1.5 kilometër në faqe të malit duke përfunduar në një liqen të ngrirë.

E gjithë skena është e filmuar nga një mik i përbashkët i dy të rinjve dhe në video dëgjohen persona të alarmuar pas ndryshimit të trajektores së sferës.

Nga përplasjet në një terren me shkëmbinj, Denis theu shtyllën kurrizore dhe mori plagë të rënda në kokë. Në momentin kur mbërritën skuadrat e ndihmës së parë, ai ishte ende i gjallë, por ndërroi jetë rrugës për në spital, ndërsa bashkëudhëtari në udhëtimin e fundit të tij, shpëtoi paq me disa plagë të lehta.

Policia ruse njoftoi nisjen e hetimeve për të përcaktuar nëse kishte patur neglizhencë nga organizatorët e këtij sporti në resortin turistik. Zorba është ndër sportet më të rrezikshme me zanafillë nga Zelanda e Re.

Top Channel