20-vjeçari bllokohet në lavatriçe

06/01/2013 15:50

Policia në Australi shpëtoi nga vdekja një 20-vjeçar, i cili kishte mbetur i bllokuar në një lavatriçe ndërsa po luante kukafshethti.

I riu vendosi të futej në lavatriçe në mënyrë që të befasonte të dashurën e tij.

Megjithatë, ai mbeti i bllokuar dhe forcat e shpëtimit shpenzuan 20 minuta, duke u përpjekur që ta nxirrnin, teksa përdorën vajin e ullirit si lubrifikant.

Zjarrëfikësit dhe urgjenca mjekësore u thirrën për të ardhur në ndihmë të djaloshit nga e dashura.

Incidenti ndodhi në fundjavë në veri të Melburnit, shteti i Viktorias.

“Ishte vetëm një lojë e shkuar keq”, komentoi rreshteri Michelle De Araugo, për “Agence-France Presse”. “Djaloshi u ndie shumë i turpëruar pas kësaj”, shtoi efektivi i policisë, ndërsa këshilloi fuqimisht të gjithë të tjerët e ndodhur në rrethanat e 20-vjeçarit që të mos rrezikojnë në këtë mënyrë në shtëpi.

Top Channel