1.7 mln dollarë për një peshk ton

05/01/2013 00:00

Rekord në Japoni. Një peshk ton i kuq shitet në ankand për 1.7 milion dollarë, tre herë më shumë se sa rekordi i vendosur një vit më parë.

Në Tokio u mbajt “Tsukiji” panairi tradicional i peshkut ku marrin pjesë peshkatarë dhe blerës të fuqishëm. Toni i rrallë u ble nga zotëruesi i një rrjeti global restorantesh të sushit (gatim tradicional japonez), Kiyoshi Kimura i njëjti që pagoi edhe rekordin e vendosur një vit më parë, po në këtë panair.

Ai vetë e cilësoi cmimin e paguar si mjaft të kripur, po shtoi se gjesti i tij ishte më shumë një apel në këtë kohë krize për ekonominë japoneze dhe një ndihmë për sektorin e peshkimit.

Cmimet stratosferike në këtë panair nuk reflektojnë cilësinë apo sasinë e produktit të blerë, por nga shumë shihen si një mjet marketingu për bizneset përkatëse.

Ambientalistë dhe shoqata të ruajtjes së kafshëve në zhdukje apelojnë se cmime të tilla po shfarosin gjallesat nënujore, e në veçanti peshkun ton të kuq. Ata i bënë apel autoriteteve japoneze të vendosin në listën e specieve në zhdukje këtë peshk pasi numri i tyre bie drastikisht nga viti në vit.

Top Channel