Kriza italiane godet edhe “Ferrari”-n

04/01/2013 12:50

Shitjet e makinave luksoze “Ferrari” dhe “Maserati” kanë regjistruar një rënie rekord në Itali, si pasoje e krizës ekonomike që ka shtrirë rrjedhojat e saj edhe midis më të pasurve.

Në të dhënat e publikuara nga kompania për vitin 2012, vërehej një rënie e shitjeve të “Ferrarit” brenda vendit me 56%, ndërsa shitjet e “Maseratit” u goditën me 72%.

Në total, vetëm 248 italianë blenë një makinë “Ferrari” gjatë vitit të shkuar.

Aktualisht, ekonomia italiane është në recesion dhe qeveria është duke vazhduar zbatimin e masave të kursimit, për të reduktuar defiçitin.

”Rënia e shitjeve të makinave luksoze është ndikuar jo vetëm nga rënia ekonomike, por edhe nga rritja e taksave dhe një kulturë e përhapur midis policëve italianë, për të ndaluar drejtuesit e “Ferrari”-t për të kërkuar hetime mbi të ardhurat e tyre”, deklaroi Filippo Pavan Bernacchi, drejtues i Federatës Italiane të Automobilizmit.

Megjithatë, të dy markat në pronësinë e “FIAT”-it janë më të suksesshme në planin botëror.

Gjatë 2012-s, “Ferrari” dorëzoi në total tek pronarët e tyre 3 664 makina sportive, me të ardhurat që u rritën me 11,9%, me një total prej 1,2 miliardë eurosh gjatë vitit.

Top Channel