Kur duhet të hiqet dorë nga minifundet?

26/12/2012 00:00

Kujdesi ndaj vetes është konsideruar gjithmonë një pikë e fortë për femrat. Ka nga ata të cilët thonë se ngjyrat dhe veshja nuk kanë moshë, por shumë të tjerë janë fanatikë të idesë se nëse kalon të dyzetat duhet të heqësh dorë nga ngjyrat e ndezura, veshjet ekstravagante dhe aksesorët.

Në të vërtetë nuk ka një kufi të përcaktuar se çfarë duhet të veshim apo jo, por në bazë të një studimi të bërë nga Nurture Replenish Skincare, 41-vjeçaret duhet të heqin dorë nga minifundet, pantallonat e lëkurës dhe çizmet e gjata mbi gju. Ndërkohë që tatuazhet fillojnë të duken keq kur mbush të pesëdhjetat.

Kuratorët e modës thonë se çdo femër ka pasur momentet e saj të vështira për të balancuar dëshirën për tu veshur bukur me tendencat e modës dhe moshën. Në disa raste femrat e humbin shumë herët dëshirën për tu veshur bukur dhe duken shumë me të vjetra seç janë realisht. Megjithatë duhet pasur parasysh se fustanet joseriozë, të tejdukshëm e që mbulojnë vetëm vithet duhen shmangur kur arrini në mesomoshë.

Në Shqipëri numërohen me gishta femrat që kanë lënë pas krahëve rininë, por pavarësisht këtij fakti ato nuk duan t’ia dinë se çfarë mendojnë të tjerët, kanë stilin e tyre me pantallona lëkure, tualet të rëndë, bizhuteri të mëdha e shumëngjyrëshe. Për këtë kategori femrash, veshja nuk ka moshë! Megjithatë sipas studimit, gratë e veshura hijshëm, me buzëkuq të shndritshëm, thonj dhe pëlhura me ngjyra janë gjithmonë të këndshme për tu parë.

Gratë që janë bërë pjesë e studimit thonë se janë ndjerë të bukura në çdo moshë dh se 74% e tyre nuk do të merrnin asnjë masë ekstreme kundra plakjes së lëkurës.

Edhe rrudhat janë dhuratë e natyrës!!!

59% thanë se dukeshin më të reja se sa janë në të vërtetë. Kështu që vetëm ¼ do të merrte në konsideratë mundësinë për të bërë kirurgji kozmetike dhe vetëm 1 në 10 gra mendonte se lapsi i syve ishte i papërshtatshëm pas të pesëdhjetave.

Studimi arriti në përfundimin se 1/3 e grave ishte shqetësuar për veshjet e papërshtatshme të garderobës së tyre dhe shumë prej tyre e ndjenin të nevojshme të braktisnin stilin rinor të të veshurit.

Rezultati i studimit dhe këshilla e kuratorëve të modës që kanë ndjekur hap pas hapi këtë proces ishte se gratë duhet të heqin dorë nga buzëkuqi dhe tualeti i rënduar kur mbushin të 59-at.

Pavarësisht këshillave, sugjerimeve të stilistëve dhe kuratorëve të imazhit, është e rëndësishme që ju të ndjeheni mirë dhe komode me veshjen tuaj.

Top Channel