Duhani shkurton jetën…dhe gjumin

21/12/2012 00:00

Që duhani është i dëmshëm për shëndetin kjo tashmë dihet botërisht, por studiuesit vitet e fundit janë thelluar në studimin e fenomeneve negative që sjell duhan-pirja në aktivitetin e përditëshëm të organizmit.

Dy studime të vecanta të publikuara së fundmi, një anglez dhe tjetri japonez flasin për një diferencë të madhe në vitet e jetës “të kursyera” nga mospirja e duhanit. Kështu, studiuesit anglezë arritën në përfundimin se lënia e duhanit shpëton mesatarisht 8 vite jetë për meshkujt dhe 10 vite për femrat, ndërsa ata japonezë flasin për 2 dekada të shpëtuara nga femrat nëse lënë duhanin.

Në studimet e publikuara në British Medical Journal thuhet se lënia e duhanit në moshën 30-vjeçare redukton rrezikun me 97 përqind, ndërsa lënia në moshën 40-vjeçare, e redukton atë 52 përqind.

Ndërkohë një studim paralel i Universitetit të Nju Jorkut tregoi se duhan-pirja, mes shumë efekteve negative, shkakton edhe gjumë të parehatshëm, e në shumë raste personat duhan-pirës kërcënohen të vuajnë nga pagjumësia, sidomos pas moshës 60-vjeçare.

Studiuesit amerikanë thonë se nikotina ka ndikim afat-shkurtër dhe afatgjatë për gjumin. Sa më gjatë të pihet duhani, thonë ata, aq më të mëdha janë risqet që personat duhan-pirës të vuajnë nga pagjumësia.

Top Channel