Vdekja e parakohshme e këngëtarëve

20/12/2012 00:00

Këngëtarët e suksesshëm që performojnë solo kanë dy herë më shumë gjasa
që të vdesin herët se sa ata që këndojnë në grup. Kështu thotë gazeta
“BMJ Open”.

Studimi ka shqyrtuar karierën e 1.400 këngëtarëve të gjinive rok dhe pop nga Evropa dhe Amerika e Veriut, që ishin të famshëm mes viteve 1956-2012.

Kështu, shanset që një këngëtar evropian solo të vdesë ishin 1 në 10, ndërsa për ata amerikano-veriorë ishin 1 në 5.

Autorët spekulojnë se shkak për këtë mund të jenë turet e gjata në Amerikën e Veriut, aksesi i ulët tek kujdesi shëndetësor dhe ekspozimi ndaj narkotikëve.

Nga ana tjetwr, ekspertët e cituar nga gazeta sugjerojnë se mbështetja e ofruar nga shokët e grupit muzikor mund të jetë shumë mbrojtëse.

Studimi ka nxjerrë në pah se në periudhën e ekzaminuar kanë vdekur para kohe plot 137 këngëtarë, mes të cilëve Elvis Presley, Jimi Hendrix, Michael Jackson, Amy Winehouse, Whitney Houston, etj.

Gjithashtu, nuk mund të harrohen anëtarët e grupeve si Kurt Cobain nga Nirvana, Jim Morrison nga The Doors, Sid Vicious nga Sex Pistols dhe Stuart Cable nga Stereophonics.

Mesatarja e moshës së vdekjes ishte 39 vjeç për këngëtarët evropianë dhe 6 vjet më shumë për ata amerikanë.

Top Channel