“Personazhi i vitit” në TCH

20/12/2012 00:00

Ka përfunduar faza e parë e anketës së Top Channel, për përzgjedhjen e personazhit të vitit.

Zgjedhjeve të publikut, në fazën e dytë, që nisi nga 20 dhjetori, u shtohen propozimet e Top Channel.

“Arsyeja e shtimit të emrave të Top Channel, në listën finale të votimit, është sepse personazhe të caktuar nuk janë gjatë gjithë vitit në syrin e publikut dhe ata mund të kenë bërë vepra apo mund të kenë dhënë një kontribut, i cili është i vlefshëm, por publiku, gjatë ecurisë së vitit, mund ta ketë harruar, kështu që ne ua kujtojmë”, shprehet Igli Gjelishti, webmaster i www.top-channel.tv.

Propozimet e Top Channel janë:

4 Virtuozët, Klajdi Sahatci, Tedi Papavrami, Vlorent Xhafaj dhe Dorian Xhoxhi – Me karriera të shkëlqyera jashtë vendit, ata u bashkuan këtë dhjetor për t’i ofruar publikut shqiptar një festival me muzikë cilësore, të cilin duan ta kthejnë në traditë të përvitshme.

Alpinistët e Everestit – Grupi i alpinistëve, që sfiduan epërsine e majës më të lartë në botë, Everestit, duke vendosur aty për herë të parë flamurin shqiptar.

Rona Nishliu – Këngëtarja shqiptare nga Kosova, që zuri vendin e pestë në Festivalin e këngës Eurovision 2012.

Arbën Xhaferri -Shqiptari i shquar, që mungoi në këtë 100-vjetor Pavarësie. Një figurë e vlerësuar dhe e dashur nga të gjithë, duke dhënë një kontribut të shquar për kombin shqiptar.

Artan Fuga – I vlerësuar si shkrimtari më i mirë i vitit në Panairin e Librit dhe njëkohësisht një njeri, që ka dhënë kontribut me studimet e tij në fushat e gazetarisë e filozofisë.

Shoqata për Mbrojtjen e Trashëgimisë Kulturore – Për kontributin e vazhdueshëm në mbrojtje të pasurisë kombëtare.

Zamira Durda – Gruaja, që ka humbur familjarët në shpërthimin e Gërdecit, e cila vazhdon të endet sallave të gjykatave, në pritje të dhënies së vendimit për shpalljen e fajtorëve të kësaj tragjedie.

Saimir Strati – Këtë vit theu një tjetër rekord Guinness, me mozaikun e tij në Prishtinë: shqiponjë e realizuar me kokrra fasulesh.

Arta Dobroshi – Aktorja nga Kosova, që u shpall në listën e 10 aktorëve të rinj më të mirë të vitit  nga Europian Film Promotion, organizata prestigjoze, që promovon filmin europian.

Xherdan Shaqiri – Futbollisti shqiptar i kombëtares zviceriane, sportisti vendas që në karrierën e tij ka arritur të luajë në një nga skuadrat më të mira të botës, Bayern Munchen.

Anketa do të përfundojë më 30 dhjetor dhe emri i fituesit do të bëhet i ditur në edicionin qendror të lajmeve të Top Channel në ditën e fundit të vitit.

Top Channel