“Fundi i botës” në bunkerin bërthamor

20/12/2012 17:00

24 orë nga “fundi i botës”, sipas një bestytnie të përhapur nga fundi i kalendarit të qytetërimit maja në 21 dhjetor, një bunker për mbrojtjen nga sulmet bërthamore në Rusi do të presë një festë të veçantë, ku të gjithë ata që do të paguajnë shumën 1 mijë euro për një biletë, do të kenë të garantuar argëtimin dhe mbijetesën.

Bunkeri nëntokësor i ndërtuar gjatë Luftës së Ftohtë, i ndodhur në afërsi të Kremlinit në Moskë, është shndërruar në një klab gjigant, i cili do të presë gjatë të 24 orëve të 21 dhjetorit ata që duan t’i shpëtojnë “apokalpsit”.

I ndërtuar në vitin 1956, bunkeri ndodhet 18 kate ashensori nëntokë dhe është i izoluar me botën e jashtme, falë mureve të forta prej betoni dhe çeliku të padepërtueshëm.

Ai mund të presë deri në 300 persona dhe të gjitha biletat janë shitur në kohë rekord, me organizatorët që do të përfitojnë 300 mijë euro për këtë festë të veçantë.

Lajmi i mirë për klientët, të paktën, pijet dhe ushqimi janë të garantuar për një kohë të gjatë… edhe nëse fundi i botës, do të ndodhë me të vërtetë.

Top Channel