Hacker-i i Scarlett Johansson, 10 vite burg

18/12/2012 03:20

Një hacker nga SHBA, që u fut në e-mail-et e Johansson, Aguilera etj, dënohet me 10 vite burg në Los Angeles.

Christopher Chaney, nga Jacksonville i Florida-s, pranoi përgjimin dhe aksesin e paautorizuar në kompjuterat e të dëmtuarve. Prokurorët thanë se Chaney ishte futur në e-mail-et e më shumë se 50 personave VIP.

Incidenti më i bujshëm ishte ai i fotove nudo të Johansson, e cila i kishte bërë për ish-burrin e saj, Ryan Reynolds, të cilat i ishin marrë dhe ishin publikuar në internet.

Chaney, 35 vjeç, u burgos nga gjykatësi i distriktit amerikan, S James Otero.

“Është e vështirë të kuptosh mentalitetin e një personi, i cili kryen gjithë këto gjëra”, tha gjykatësi, sipas Associated Press. “Këto lloj krimesh janë po aq të dëmshme dhe serioze, sa një dhunim fizik”.

Chaney u shpreh: “Nuk di çfarë të them tjetër, veçse më vjen keq. Mund të dënohem me ndalimin e përhershëm të ndonjë kompjuteri, nuk më bëhet vonë”.

Johansson, Aguilera dhe ylli i “Friends With Benefits”, Mila Kunis, ranë dakord nga heqja e mbrojtjes së identitetit të tyre, në mënyrë që të nxirrnin në pah çështjet e vjedhjes në internet.

Chaney, i cili fillimisht u vetdeklarua jo fajtor për akuzat e ngritura ndaj tij, u arrestua në tetor 2011 si pjesë e një hetimi 1-vjeçar të FBI-së, për vjedhjet ndaj njerëzve të famshëm, i koduar me “Operacioni Hackerazzi”.

Chaney pranoi më pas se kishte hyrë në e-mail-et personale të objektivave të tij, duke klikuar në opsionin “harrova fjalëkalimin” të llogarive të tyre dhe duke iu përgjigjur pyetjeve sekrete, duke përdorur informacionet e disponueshme publike rreth personave të famshëm në fjalë, të cilat i kishte gjetur në internet.

Sapo kishte marrë nën kontroll e-mail-et e tyre, ai kishte marrë fotot private, kontratat e biznesit, skripte dhe dokumenta të tjera. Ai kishte shkuar edhe në listën e kontakteve të tyre, për të gjetur të tjerë “viktima”, duke i kërkuar shpesh herë foto private mes “miqsh”.

Chaney ua dërgoi më pas fotot e gjetura, përfshi edhe ato nudo të Johansson, faqeve gossip në internet, të cilat i postuan ato online.

Top Channel