Video/ Qielli “vishet” me ngjyra në Indonezi, regjistrohet fenomeni i rrallë i reve
Korea e Veriut lëshoi ditën e mërkurë një satelit në hapësirë, në atë që konsiderohet si hapi më i rëndësishëm i programit raketor të vjetër katër dekada, në vendin komunist më të izoluar të botës.
Ndërsa ndër vite, shpenzimet e tepruara ushtarake kanë futur ekonominë koreanoveriore në kolaps dhe i kanë kushtuar jetën milionave, të vdekur nga uria, një vlerësim tregoi se vetëm kostoja e lëshimit të dy raketave gjatë 2012-s, do të ishte e mjaftueshme për të mbuluar nevojat ushqimore të banorëve koreanoveriorë për pesë vitet e ardhshme.
Një studim i autoriteteve koreanojugore, vlerësoi se Peniani i ka dedikuar 1,3 miliardë dollarë, programit të tij raketor gjatë këtij viti.
Sipas përllogaritjeve, raketa dhe saleliti i lëshuar të mërkurën, si dhe raketa me rreze të gjatë e lëshuar në muajin prill, i kanë kushtuar Koresë së Veriut 600 milionë dollarë, ku shtohen 400 milionë më shumë për ndërtimin e platformës dhe infrastrukturës së lëshimit e 300 milionë dollarë më shumë, për shpenzimet e tjera shtesë të lidhura me programin.
Një shumë e tillë mund të sigurojë me çmimin e tregut 4,6 milionë tonë grurë, që do të zgjidhte problemet me tollonat dhe mungesën e bukës në vend për të paktën pesë vitet e ardhshme.
Korea e Veriut, një vend me 25 milionë banorë, ka një Prodhim të Brendshëm Bruto prej 40 miliardë dollarësh, sipas vlerësimeve të raportit të përvitshëm të “CIA”-s.
Kjo do të thotë se PBB e shtetit komunist është përafërsisht dy herë më e lartë se ajo e Shqipërisë, që nga ana tjetër ka vetëm rreth tre milionë banorë rezidentë, që i bën shqiptarët mesatarisht 4-5 herë më të pasur se një koreanoverior.
Si rrjedhojë e shpenzimeve të tepruara ushtarake, vlerësohet se në Korenë e Veriut, ku pagat variojnë nga 50-100 dollarë në muaj, tre milionë banorë janë vazhdimisht të kërcënuar nga uria.
Top Channel