A ka zgjidhje për fëmijët e lindur me defekte në zemër? A mund të flasim sot për një shërim të plotë apo ata mbeten pacientë të këtyre defekteve? A zgjidhen në Shqipëri apo duhen spitale të specializuara jashtë.

Këto janë këto pyetje që shqetësojnë çdo prind nëse fëmija i tij vuan nga ndonjë problem në zemër dhe që shtroi emisionin e “Pasdites” në “Top-Channel”, ditën e mërkurë.

Në vendin tonë ka raste që na tregojnë se në vendin tonë ka zgjidhje. Vogëlushja Xheni Lleshi, nga Mamurrasi, është një nga fëmijët që ia doli me sukses të shpëtojë nga një problem që kishte në zemër.

Tashmë ajo vjen dhe kryen vizitat rutinë në pediatrinë e QSUT-së. Dalina, mamaja e 2-vjeçares tregon se si e konstatuan defektin e vajzës.

“Kur vajza ishte dy muajshe, pati një problem në frymëmarrje. Pediatri na tha që ka një vrimë në zemër dhe e sollëm në spital, ku bënë vizitat dhe ekot e na thanë se duhet të realizohej një ndërhyrje kirurgjikale. Ndërhyrja u bë një vit më parë dhe vajza gëzon tashmë shëndet të plotë”, thotë nëna e fëmijës së sëmurë.

Këto vite nuk kanë qenë të lehta për familjen nga Mamurrasi.

“Të kesh një fëmijë me vrimë në zemër është një stres më vete. Gjatë të gjithë kohës e shihnim me stres, e kontrollonim, e çonim vazhdimisht për vizita”, shton Dalina Lleshi.

Për shkak të sëmundjes, Xheni nuk është rritur si gjithë fëmijët e tjerë, megjithëse familjarët bënin çdo gjë që të ishte sa më mirë. “Luante si të gjithë fëmijët e tjerë, por përpara operimit ndiente dobësi. Megjithatë, tashmë është mirë, gjithçka është stabilizuar dhe vajza gëzon shëndet të plotë”, shtoi e ëma.

Doktoresha që ka ndjekur rastin e Xhenit, Numila Kuneshka tregon se si arritën të eleminonin vrimën në zemrën e vogëlushes.

“Që nga momenti kur mbërriti në shërbimin e QSUT-së, derisa u bë ndërhyrja, shumicën e kohës vajza kishte bronkopneumoni për shkak të ndërlikimeve që krijonte gjendja e zemrës në mushkëri. Si rezultat, e kishim shumë të vështirë të gjenim një moment për ta operuar, pasi për ta futur në sallë, mushkëritë duhet të ishin tërësisht të pastra. Në fund, ia dolëm dhe sot vajza gëzon shëndet të plotë”, deklaroi mjekja Kuneshka.

Por, rastet e fëmijevë me defekt në zemër duket se janë të shpeshta në vendin tonë.
Në bazë të të dhënave nga mjekët në QSUT dhe dy maternitetet e Tiranës, ku përqendrohet numri më i madh i fëmijëve që diagnostikohen me Sëmundjeve të Lindura në Zemër, rezulton se janë rreth 300 lindje çdo vit. Pjesa më e madhe e këtyre lindjeve, rreth 70 % kërkojnë ndërhyrje kirurgjikale.

Bazuar në të dhënat nga vetë mjekët kardiopediatër, sfida kryesore mbetet diagnostikimi i hershëm, i cili është shumë i rëndësishëm për shëndetin e fëmijës. Për të bërë edhe më të lehtë kurimin e këtyre fëmijëve shoqata “Një botë për një zemër” po harton një projektligj që lehtëson procedurat e diagnostikimit, krijon qendra të specializuara në të gjithë vendin për sëmundjet e lindura në zemër dhe më kryesorja do të ndryshojë protokollet duke e bërë kontrollin për këto sëmundje të detyrueshëm.

Top Channel