Siguria e të dhënave personale

09/12/2012 19:45

Në të gjithë botën, mbrojtja e të dhënave personale të qytetarëve është një sfidë për qeveritë.

Nuk bën përjashtim as Shqipëria. Por, sa të sigurta janë të dhënat personale të shqiptarëve, në një kohë kur ato tashmë regjistrohen, përpunohen dhe arkivohen në sisteme elektronike nga institucione të ndryshme?

Nëse do t’i referohemi publikimeve në media, herë herë këto të dhëna janë keqpërdorur, siç ishte rasti i fushatës elektorale vitin e shkuar apo kompanive celulare, të cilat u dërgojnë klientëve mesazhe me karakter promocional.

Në mënyrë që Shqipëria t’i ruajë këto të dhëna, njësoj si vendet e tjera në Europë, BE ka shpenzuar rreth 900 mijë euro nëpërmjet një projekti, që synon përforcimin e sigurisë së këtyre të dhënave. Shefi i operacione të Bashkimit Evropian në Shqipëri, Luigi Brusa, shpjegon rëndësinë e projektit.

“Siç edhe mund ta imagjinoni, që kur ne lindim dhe gjatë tërë jetës sonë, çdo veprim që bëjmë prodhon të dhëna, siç janë ato kur ne paguajmë një faturë apo marrim patentën etj. Lind pyetja: Çfarë ndodh me këto të dhëna? Përgjigja e kësaj pyetje ishte motivimi i projektit tonë, për ta ndihmuar Shqipërinë me një legjislacion të ngjashëm me direktivën e BE-së për këtë çështje. Një direktivë tejet e rëndësishme, që i është dedikuar privatësisë së qytetarëve për ruajtjen e të dhënave te qytetarët shqiptarë”, deklaroi Brusa.

Luigi Brusa thotë se mbrojtja e të dhënave është një nga vlerat thelbësore të Bashkimit Europian. Ai tregon se çfarë synon ky projekt.

“Ky projekt përmban asistencën teknike, trajnime për zyrën shqiptare të komisionerit për mbrojtjen e të dhënave, me qëllim përmirësimin e legjislacionit për përmirësimin e sigurisë së të dhënave të çdo qytetari në Shqipëri. Dua të vlerësoj bashkëpunimin mes ekspertëve tanë dhe atyre shqiptarë. Ky projekt i ka dhënë frytet e veta. Më lejoni t’iu përmend disa shifra. Numri inspektimeve nga zyra e komisionerit për mbrojtjen e të dhënave është rritur nga 17 në 2010 në 70 gjatë 2012-tës. Një rritje e rëndësishme e aktivitetit të kësaj zyre, për sa i përket tashmë implementimit të legjislacionit”.

Sipas zotit Brusa, unifikimi i legjislacionit shqiptar me direktivat e BE-së dhe përforcimi i “rregullave të lojës” janë një nga kushtet, që Shqipëria duhet të përmbushë në rrugën e saj drejt Bashkimit Europian.

Top Channel