Medvedev: Alienët janë mes nesh

08/12/2012 00:00

“Alienët janë mes nesh, por unë nuk mund t’u them numrin e tyre sepse do të ngjallte panik tek njerëzit”.

Këtu ishin fjalët e as më pak e as më shumë të vetë ish-presidentit, tashmë kryeministër i Rusisë, Dmitri Medvedev, lëshuar pa dijeninë që ende po regjistrohej pas përfundimit të një emisioni në një televizion rus ku ishte i ftuar.

“Po ua them për herë të parë dhe të fundit, në valixhen me kodet e bombave bërthamore, presidenti ka një dosje me informacion të detajuar lidhur me alienët që kanë vizituar planetin tonë dhe bashkë me të është edhe një dosje tjetër e klasifikuar e shërbimeve sekrete me informacione të detajuar për prezencën e jashtëtokësorëve në territorin tonë”, deklaroi Medvedev duke sqaruar më pas se kodet e armëve bërthamore bashkë me dy dosjet “top secret” kalohen nga njëri president tek tjetri.

Medvedev nuk ndal me kaq dhe vazhdon shakanë e tij.

“Është një film i famshëm, ‘Men in Black’ ku mund të gjeni informacione më të detajuara për këtë çështje, unë s’mund t’u them asgjë më shumë”, tha kryeministri rus, që më herët foli edhe për Babagjyshin e Vitit të Ri.

“Unë besoj tek ai dhe nuk futem tek ata tipa që u them fëmijëve që Babagjyshi s’ështe i vërtetë”.

Top Channel