Nokia shet zyrat qëndrore në Finlandë

05/12/2012 02:10

Nokia ka pranuar të shesë dhe të japë me qera zyrën e saj qëndrore në Espoo të Finlandës, për një periudhë afatgjatë drejt kompanisë Exilion, me seli në Finlandë.

Pritet që shitja të kompletohet në fund të këtij viti, teksa çmimi i shitjes është plot 170 milionë euro.

“Patëm një proçes gjithpërfshirës shitjeje, me të interesuar finlandezë dhe të huaj, ndaj dhe jemi të kënaqur me rezultatet deri tani. Siç kemi thënë edhe më parë, zotërimi i pasurive të patundshme nuk është pjesë e biznesit bazë të Nokia-s, ndaj dhe kur lindin mundësi të mira, ne jemi të gatshëm t’i shesim këto asete dytësore. Natyrisht, ne do të vazhdojmë të operojmë në zyrën tonë qëndrore në terma afatgjata”, tha Timo Ihamuotila, shefi i financave të Nokia-s.

Nokia ka operuar në këtë ndërtesë, që prej 1997-s. Ajo ka një sipërfaqe prej 48 mijë metrash katrorë, është dizenjuar nga arkitekti Pekka Helin dhe ndodhet në Keilaniemi, Espoo të Finlandës.

Nokia është lider global në rrjetet e komunikimit celular, produktet e së cilës janë bërë pjesë integrale e jetës së njerëzve kudo në botë. Çdo ditë, më shumë se 1,3 miliardë njerëz përdorin aparatet Nokia për të kapur dhe ndarë përvoja, për të patur akses në informacionet e fundit, për të gjetur rrugën, apo thjesht për të folur me dikë tjetër.

Teknologjia e Nokia-s dhe inovacionet sa i përket dizajnit e kanë bërë këtë markë një nga më të njohurat në botë.

Top Channel