Themelet e shtëpisë së përbashkët

03/12/2012 00:00

Pas festimeve për 100-vjetorin e pavarësisë, shteti dhe populli shqiptar i është rikthyer normalitetit të jetës së tij të përditshme.

Megjithatë, simbolika e festimeve që pushtuan të gjithë trevat shqiptare mbetet e fuqishme, ashtu si retorika e nacionalizmit dhe bashkimit kombëtar, e zakonshme në ato ditë.

E ndërsa bashkimi politik i trojeve shqiptare është një vision më shumë i ëndërruar se sa i mundur për momentin, bashkimi në edukim e kulturë, është një mundësi që duhet të bëhet medoemos të materializohet gjithmonë e më shumë.

Pikërisht, për të folur për këtë bashkim real në arsim midis shqiptarëve brenda dhe jashtë kufijve politikës të Republikës së Shqipërisë, Rudina Xhunga ftoi në studion e saj të emisionit “Shqip” katër prej figurave më përfaqësuese të arsimit të lartë shqiptar.

Ish-Presidenti i Kosovës, Fatmir Sejdiu, kryebashkiaku i Tetovës dhe ish-rektor i universitetit të të njëjtit qytet, Sadi Bexheti dhe dy rektorët e Tiranës e Prishtinës, Dhori Kuli e Ibrahim Gashi, debatuan për pothuajse 90 minuta mbi mënyrat se si mund të realizohet ky bashkim dhe se sa është bërë në rrugën e këtij bashkimi.

Duke nisur debatin në studio, zoti Kule shpjegoi se është krijuar tashmë një rrjet i universiteteve shqiptare. “Ideja bashkimit kombëtar ka patriotizmin dhe romantikën brenda, por më bukur se nëpërmjet arsimit, kjo gjë nuk mund të shprehet. Përpara se të bëhej autostrada edhe rruga e kombit, kam pasur kontakte me Bexhetin këtu në studio, në cilësinë e rektorit të Tetovës dhe bashkë me ish-rektorin e Universitetit të Prishtinës, Enver Hasani, kemi krijuar rrjetin e universiteteve shqipfolëse. Për shtetin, arsimi duhet të jetë sektori prioritar në vizionin e unifikimit dhe bashkimit shqiptar”.

Duke i bërë një ekspoze të gjatë Universitetit të Tetovës, kryebashkiaku Bexheti shpjegoi: “Janë dy periudha të rëndësishme për shkollimin e lartë të maqedonasve. Kur në ish-jugosllavi u hap Universiteti i Prishtinës në vitin 1974, ai dhe hodhi themelet e gjuhës shqipe. Deri atëherë, shqiptarët e Maqedonisë, favorizuar nga gjendja më e mirë ekonomike, shkolloheshin në ish-Republika të tjera. Kjo ishte një periudhë sporadike e kuadrit arsimor. Më vonë vjen periudha e tanishme, shkollimi në gjuhën shqipe në vend. Themelet e këtij universiteti në Tetovë e mbështetën Universiteti i Prishtinës dhe një grup profesorësh nga Tirana. Kur u krijua shkolla e re, nga katër fakultete, sot janë 11, që kapin të gjitha fushat, nga mjekësia e deri tek degët shoqërore. Së fundmi, gjithashtu ka ndodhur fenomeni i hapjes së universiteteve private, që ngadalë sollën uljen e cilësisë së studimeve, pasi duhet një kohë që të kalojë procesi i pjekurisë. Megjithatë mbase gabohem, por jemi një shtet shumë i vogël për të gjithë këto universitete”.

Nga ana e tij, Sejdiu iu përgjigj pyetjes së vështirë se ku duhet të ndodhë bashkimi, në arsim apo politikë. “Burimi i zhvillimeve më të rëndësishme që ka pasur kombi, para tërheqjes së osmanëve, në periudhën e viteve të para të shtetit shqiptar dhe më vonë në fillimet e kombit ndarë, pa u munguar respekt asnjë kategorie që sakrifikoi dhe dha jetën për Shqipërinë, më të rëndësishëm për kombin kanë qenë ata që kanë investuar në dije, që është pjesa më e rëndësishme e ecjes së një kombi. Ideja e shtetit paralelel, e formuar tashmë, mund të ecë përpara vetëm nëpërmjet unifikimit të arsimit. Në këtë kohë janë bërë veprime shumë të rëndësishme paralele, edhe me hapjen e Universitetit të Tetovës, por edhe me disa bashkëpunime të rëndësishme që duhet të thellohen edhe më tej”.

Në fjalën e tij, rektori i Prishtinës, Ibrahim Gashi, solli disa fakte të rëndësishme në vëmendjen e publikut. “Aktualisht, Universteti i Prishtinës është institucioni më i madh i arsimit, është universitet që vitin e kaluar kishte të regjistruar 52 mijë studentë dhe është edhe një nga universitetet më të mëdha në rajon. Njëkohësisht është instuticioni me traditën më të gjatë të mësimdhënies dhe edukimit shkencor në Kosovë (nga viti 1970 zyrtarisht), por filialet e Universitetit të Beograd nisën që nga vitet 1960. Universiteti i Prishtinës është instuticioni më i kërkuar për të studiuar nga maturantët, punëdhënësi më i madh në Republikë, me mbi tre mijë të punësuar dhe në tregun e punës, diplomat janë më të kërkuarat. Siç përmendi profesori, në vitin 2008 u bë përpjekja dhe u krijua rrjeti i universiteteve shqiptare. Në kuadrin e bashkëpunimit mbarëkombëtar, Universiteti i Prishtiëns dhe Tiranës çuan një mesazh të mirë në 100-vjetorin e pavarësisë, me programet e përbashkëta të doktoraturës në albanalogi dhe histori. Deri në fund të vitit do të kemi kandidatët e parë nga të dy shtetet, nga e gjithë hapësira shqiptare”.

Rektori i Universitetit të Tiranës, Dhori Kule nënvizoi rëndësinë e bashkëpunimit mes universiteteve shqipfolëse, në Tiranë, Maqedoni, Kosovë e Luginën e Preshevës. Ai përmendi kuotat që UT rezervon për studentët nga trojet shqiptare jashtë kufirit shtetëror dhe theksoi rëndësinë e heqjes së burokracive në njohjen e diplomave të përbashkëta.

“Universiteti i Tiranës dhe qeveria kanë krijuar disa kuota për studentë nga trojet shqiptare, si dhe ka dhënë një përparësi për ata që kërkojnë të vazhdojnë doktoraturën në Shqipëri. Po bashkëpunojmë me Rektorët në Tetovë dhe në Prishtinë. Misioni ynë është të bashkëpunojmë sepse misioni ynë është i përbashkët. Duhet të ndërtojmë punën si të kishim një universitet për të ndihmuar studentët të përgatiten dhe kapin tregun e punës. Duhet të mos ketë pengesa burokratike të njohjes së diplomave si në Tiranë ashtu dhe në Prishtinë e Tetovë”, tha zoti Kule.

Të njëjtin mendim ndau edhe akademiku dhe ish-presidenti i Kosovës, Fatmir Sejdiu. Zoti Sejdiu shtoi se për t’iu përgjigjur konkurencës rajonale dhe asaj ndërkombëtare lind nevoja që universitetet shqiptare të kenë projekte të përbashkëta dhe të punojnë së bashku. Kjo bëhet me mirë, tha ai, edhe me ndërhyrjen e politikës me liberalizimin e ligjeve në këtë fushë.

Ish-Rektori i Universitetit të Tetovës, aktualisht kryetar i komunës së këtij qyteti, Sadi Bexheti nënvizoi domosdoshmërinë depolitizimit të institucioneve akademike shkencore. Politika, tha ai, është pengesë në punën e njerëzve me grada shkencore.

Rektori i Tiranës, Dhori Kule shtoi se universitetet, përvec rolit edukues dhe kërkimor kanë edhe një ndikim social. Ai përmendi rolin e studentëve dhe profesorëve në shembjen e diktaturës në Shqipëri, protestat e studentëve në Tetovë për të drejtat arsimore që u takonin, si dhe protestat e studentëve dhe profesorëve në Prishtinë në vitet e vështira të regjimit serb.

Ish-presidenti i Kosovës tha se universitetet shqiptare duhet të shtojnë bashkëpunimin me qendra të rëndësishme ekonomike, sociale dhe strategjike për të mos mbetur pas.

Lidhur me mundësinë e ngritjes së skemave të përbashkëta të financimit mes universiteteve shqiptare, të ftuarit në studio iu përgjigjën se për momentin është i vështirë, por me konsolidimin e bizneseve dhe aktiviteteve private dhe me rritjen e konkurencës mes sipërmarrjeve, do të ndjehet nevojë nga vetë kompanitë për të financuar studime në një fushë të caktuar.

Në mbyllje, apeli i profesorëve të ftuar në studio ishte për më shumë financim dhe vëmendje ndaj institucioneve arsimore nga ana e politikës. Rektori i Universitetit të Prishtinës, zoti Gashi tha se aktualisht, investimi në arsim është i pakët dhe kërkesa e llogarisë është e lartë nga ana e klasës politike dhe vetë publikut.

Top Channel