Rusi, trafik rekord, linjë 190 km në autostradë

03/12/2012 16:20

Për të gjithë ata që mendojnë se Tirana apo qytetet e tjera shqiptare vuajnë nga trafiku i rënduar, ajo që ndodh në mënyrë të përditshme në vendin tonë nuk është asgjë krahasuar me një trafik të përmasave të denja për të hyrë në librin “Guiness”, të regjistruar të dielën në Rusi.

Si rrjedhojë e rreshjeve të befta të dëborës dhe mjegullës që solli bllokime, linja e trafikut në autostradën që lidh dy qytetet kryesore ruse, Moskë-Shën Pjetërburg, arriti deri në 190 kilometra.

Falë angazhimit të Ministrisë së Transporteve dhe përpjekjes së autoriteteve, trafiku në orët e para të së hënës u arrit të reduktohej në vetëm “50 kilometra” radhë, ndërsa shpejtësia e lëvizjes u kufizua në shpejtësi 15-20 kilometra në orë.

Rusia është e mësuar me dimrin e ashpër dhe rreshjet e dëborës janë një fenomen i zakonshëm, por pas një vjeshte që zgjati me temperaturat e larta, pushtimi i vendit nga dëborë ndodhi në mënyrë jashtëzakonisht të shpejtë edhe për një vend të mësuar me kushte të tilla.

Top Channel