Withers: Optimist për Shqipërinë

21/11/2012 00:00

Ish-ambasadori amerikan John L. Withers e vlerëson si shumë të rëndësishëm 100-vjetorin e shpalljes së Pavarësisë së Shqipërisë. Në një intervistë për VOA, Withers është shprehur se mezi pret që të jetë në vendin tonë për të festuar këtë përvjetor.

“Është hera e parë që shkoj në Shqipëri që nga largimi në gusht të vitit 2010. Mezi pres të shkoj përsëri. Shqipëria është një vend nga i cili kam kujtimet më të ngrohta. Atje kam shumë miq dhe kam njohur shumë njerëz, kam ndjerë mirësinë dhe bujarinë e tyre ndaj meje”, ka thwnw Withers, i cili i ka rezervuar një falenderim të veçantë qytetit të Vlorës.

“Nuk kam fjalë për të shprehur mirënjohjen time për atë që po bën për mua qyteti i Vlorës, djepi i pavarësisë shqiptare. Ky është qyteti ku filloi gjithçka, ku u ngrit flamuri më 28 nëntor 1912. Kjo u bë shkak për një sërë ngjarjesh të mëdha që i dhanë drejtimin, madje identitetin Shqipërisë së sotme. Të jesh atje në një kohë të tillë për të marrë këtë titull është një nder, më i madh se çdo nder tjetër që më është bërë ndonjëherë në jetë. Prandaj e vlerësoj thellë dhe në një farë mënyre jam i mrekulluar nga kjo ngjarje”, ka thënë ish-ambasadori.

I pyetur se si do ta karakterizonte gjendjen e demokracisë sot në Shqipëri, zoti Withers ka dhënë këtë përgjigje:

“Mendoj se pikëpamjet e mija janë të njohura. Sekretarja Clinton në mënyrë mjaft të artikuluar shprehu mendimet e saj, por unë e shoh këtë rast të veçantë si momentin për të hedhur sytë tek parimet më të larta, tek parimet themelore, sesa të përpiqemi të analizojmë se cila është gjendja e demokracisë apo e politikës sot”.

“Këto parime më të larta janë parime për të cilat unë gjithmonë kam qenë krenar dhe i kënaqur që i kam gjetur mes shqiptarëve kur isha atje. Me fjalë të tjera, megjithë vështirësitë dhe historinë tragjike të Shqipërisë, gjithnjë ka ekzistuar besimi se Shqipëria do të ngrihet. Dhe, me këtë besim, asgjë nuk mund t’i ndalë aspiratat e popullit”, ka theksuar Withers.

Ndërsa sfidat kryesore me të cilat përballet Shqipëria sipas tij janë:

“Mendoj se sfidat me të cilat përballet vendi në atë rajon janë të mëdha e të shumta. Njëra prej tyre është trashëgimia historike. Shqipëria nuk është mësuar me demokracinë ashtu siç është bërë standarde në vendet e tjera të botës, për shembull në Shtetet e Bashkuara dhe në Evropën Perëndimore. Sfida është këmbëngulja te parimet e udhëheqjes. Mënyra themelore për të arritur ëndrrën e 1912-ës nuk është duke i bërë punët nga lart poshtë por nga poshtë lart. Mësimi i vërtetë i demokracisë është se udhëheqësit drejtojnë me vullnetin e popullit dhe nuk mund të jetë ndryshe. Kam besim të plotë se Shqipëria ndodhet në prag të një lindjeje të re të lirisë. Duke mësuar se autoriteti më i lartë i takon popullit, ata do të mund të kapërcejnë çdo sfidë, si në aspektin ekonomik, social apo politik. Unë vazhdoj të jem optimist dhe të kem shumë besim tek Shqipëria dhe tek populli shqiptar”, ka shtuar Withers.

Top Channel