Rastet e infektimit të fëmijëve nga virusi vdekjeprurës HIV-Aids kanë pësuar një rënie drastike në vitet e fundit, treguan statistikat e publikuara të martën nga Organizata Botërore e Shëndetësisë.

Gjatë 2011-s, u regjistruan 330 mijë infektime më pak se mesatarja, një rënie prej 24% krahasuar me vitin 2009.

Megjithatë, OBSH theksoi se masa të mëtejshme duhet të merren për të rritur efikasitetin e luftës kundër kësaj sëmundje.

Në total, 34 milionë persona jetojnë në botë të prekur nga virusi. Fatkeqësisht, progresi që shihet tek fëmijët, nuk shënohet edhe tek të rriturit, me kuotat e infektimeve të reja që mbeten të qëndrueshme në rreth 2,5 milionë njerëz në vit.

Rënia drastike në numrin e fëmijëve të prekur ka ardhur kryesisht si rrjedhojë e disa mjekimeve dhe efektshmërisë së lindjeve që shmangin infektimin e foshnjes.

Duke qenë se një fëmijë ka sistemin e tij të pavarur të gjakut brenda trupit të nënës, ai nuk është i prekur gjatë zhvillimit edhe nëse nëna vuan nga HIV-Aidsi. Shumica e fëmijëve, infektohen gjatë lindjes, si rrjedhojë e rënies në kontakt me gjakun apo lëngjet e tjera të trupit të nënës.

Në raportin e përvitshëm, evidentohej se shumica e personave të infektuar tashmë marrin mjekime që janë në gjendje të zgjasin jetën dhe të ndalojnë përhapjen e mëtejshme të virusit, por ende shtatë milionë prej të sëmurëve nuk kanë asnjë akses ndaj mjekimeve moderne.

Afrika Sub-Sahariane vazhdon të jetë zona më e prekur në botë, ndonëse disa vende përgëzohen për rënien drastike të infektimeve të reja.

Midis vendeve që tashmë duket se e kanë vendosur nën kontroll epideminë, u veçuan Etiopia, Malaui dhe Botsvana.

Nga ana tjetër, shqetësuese paraqitet gjendja në Rusi, në Europën Lindore, Azinë Qëndrore, Lindjen e Mesme dhe Afrikën Veriore, ku rastet po shënojnë rritje.

Top Channel