Skandali i Petreaus dhe precedentët në botë

13/11/2012 19:00

Gjithçka filloi me dorëheqjen e shefit të CIA-s David Petreaus. Në mesazhin e shpërndarë për mediat, nuk përcaktohet shkaku i kësaj dorëheqje, por ‘Washington Post’ shkruante se motiv u bë shpërthimi i një skandali për një lidhje jashtëmartesore të tij.

David dhe Holly Petraeus u martuan në vitin 1974 dhe kanë dy fëmijë. Bashkëshortja e tij punon për një agjenci qeveritare që merret me mbrojtjen e familjeve të ushtarakëve nga borxhet dhe fajdet.

Ndërkohë është zbuluar se gruaja e marrëdhënies jashtëmartesore është Paula Broadwell, autore e biografisë së gjeneralit të titulluar “All In: The Education of General David Petraeus”. Sipas informacioneve të “NBC News”, FBI kishte hapur një hetim mbi këtë grua pasi dyshohej se kishte tentuar të hynte në mesazhet elektronike të gjeneralit për të kërkuar material të rezervuar.

Marrëdhënia u zbulua pasi një grua e dytë, Jill Kelley, 37 vjeç, i tha FBI-së se kishte marrë e-mail-e anonime kërcënuese.

Një hetim i FBI-së gjeti mesazhet që kishin ardhur nga zonja Broadwell dhe më tej zbuloi lidhjen e 40-vjeçares me Petraeus.

Nuk ka asnjë sugjerim se zonja Kelley, e martuar nga Tampa, Florida, kishte ndonjë lidhje me Petraeus.

Në një deklaratë, ajo dhe burri i saj pranuan shoqërinë e tyre me Petraeus dhe kërkuan t’u ruhej privatësia.

Një trekëndësh dashurie shkatërroi karrierën brilante të ushtarakut më të rëndësishëm amerikan që nga koha e gjeneralit të famshëm Eisenhouer që më pas do të bëhej president.

Dyshohet se super-gjenerali e kishte ndërprerë marrëdhënien intime me biografen e tij që pranverën e kaluar. Ndërkohë, Paula Brodwell, e verbuar nga xhelozia, dyshonte për një marrëdhënie të gjeneralit me Jill Kelleyn dhe e ka bombarduar atë me maile kërcënuese. Të dyja gratë e përfolura janë të martuara.
 
Një tjetër detaj i mistershëm është një letër anonime që ka shkuar në redaksinë e gazetës ‘Neë York Time’ ku dikush i shkruante gazetës se e shoqja kishte një marrëdhënie jashtëmartesore me një personalitet të lartë.

Një roman intrigash, pasionesh, spinuazhi dhe kundërspiunazhi. Është e njëjta histori që ripërsëritet kohë mbas kohe dhe gjithmonë me saktësinë e një ore zvicerane në qendër të skandalit ndodhet gjithmonë një: ajo.

Teoritë konspirative kanë mbytur Uashingtonin që ishte mësuar me puritanët e kohëve të fundit si George Bush dhe Barack Obama. Ajo që FBI ka në dorë për shefin e sapo dorëhequr të CIA-s tashmë janë 30 mijë faqe me dokumente të nxehtë kryesisht e-maile që kanë shkëmbyer gjenerali me të dashurën dhe e dashura me të dashurën e mundshme.

Ajo që ngelet konstante është që seksi dhe pushteti janë dy fijet e gërshetit më të njohur të historisë.

Spiunet bukuroshe

Një teori konspiracioni, që të respektohet, ka nevojë domosdoshmërisht për një bukuroshe të infiltruar. Shumë burra, pavarësisht detyrës, inteligjencës apo pasurisë, kanë një pikë të dobët: Ata e kanë të pamundur t’i rezistojnë një femre të bukur.

Shantazhi seksual mund të jetë shumë herë më i fuqishëm në politikën e madhe nga ç’mund të mendojmë. “Sindikata e seksit”, e kontrolluar nga hijet e inteligjencës dhe mafies, ka prodhuar skandalet më të mëdha në botë, të paktën që në fillim të Luftës së Ftohtë. Shërbimi sekret më i famshëm i botës, KGB-ja sovjetike ka qenë e njohur në të kaluarën e saj për lojën e preferuar të spiunazhit futja në kurthin e saj të diplomatëve të huaj dhe në shumicën e rasteve nëpërmjet seksit. Në këtë mënyrë KGB-ja komprometoi ambasadorin britanik në Moskë, Sër Xhofri Harison në 1968. Ambasadori u dashurua pas një gruaje të bukur ruse që punonte si shërbëtore në ambasadën britanike e quajtur Galja. Ajo ishte sigurisht e futur me mision aty nga KGB-ja. Pasi çifti pati kontaktin e parë intim në një apartament të Leningradit, Harrisonit iu treguan foto të tij më Galian.  

Mënyrat e marrjes së informacionit ishin të shumta, shantazhet seksuale në atë kohë ishin kthyer në “Thembrën e Akilit” të diplomacisë e cila nga Lufta e Ftohtë midis Rusisë dhe SHBA-së ishte kthyer në një luftë të “nxehtë”. Ka pasur ama një rast kur këto kurthe kanë dështuar në mënyrë spektakolare.

Ish-presidenti i Indonezisë, Ahmed Sukarno, u tentua t’i bëhej shantazh me një video të bërë nga KGB-ja. Shërbimi rus i kishte dërguar disa bukuroshe në dhomë për një orgji. Kur KGB-ja i tregoi videon presidentit për shantazh, ai u kërkoi kopje të tjera që t’i transmetonte në kinemate indoneziane duke mos i bërë fare përshtypje skandali.

Sekretari britanik i luftës në vitet ’60, pas skandalit seksual me një prostitutë e kaloi jetën duke punuar si vullnetar.

Lista e skandaleve

Nëse ata nuk do të kishin qenë figura shteti, “mëkatet” e tyre do të mbeteshin anonime. Në momentin që bëhet fjalë për njerëz që kanë  marrë përsipër një post publik, i cili mbart përgjegjësi politike, edhe flirti më i pafajshëm kthehet në fatalitet duke rrezikuar karrierën.

Por cilat janë disa nga skandalet më të njohura seksuale, ku politika dhe seksi kanë qenë në një raport varësie.

Domenik Shtraus-Kan

Ish-kreu i FMN-së, Domenik Shtraus-Kan, u përfshi pak kohe më parë në një skandal seksual. Një prostitutë belge ka treguar se ajo ka qenë e pranishme në një hotel në Uashtington në vitin 2010 ku ish-kreu i FMN-së ishte pjesë e një “skuadre përdhunuesish”. 63-vjeçari u akuzua se ishte përfshirë në një rrjet prostitucioni bashkë me tre persona të tjerë, ndersa vetë Shtraus-Kan ka mohuar akuzat.

Një akuzë për përdhunim, megjithëse u pushua si çështje, i kushtoi karrierën politike, pasi para saj ai shihej si kandidat potencial për president në Francë, ndërsa arrestimi i tij ka pasur hipoteza të ndryshme, qoftë edhe ato të “një komploti”.

John F.Kennedy

Kur u përhapën me shpejtësi thashethemet se Kennedy do të pushonte nga puna shefin e FBI-së, Edgar Hoover, ai filloi të nxirrte në pah një e nga një të gjitha dosjet e tij të pasura me skandale seksuale ku protagonist ishte vetë presidenti. Me një inat që po kthehej në sëmundje patologjike për të, Hoover kishte përgjuar çdo “fole dashurie” të Kennedy-t dhe kishte regjistruar të gjitha telefonatat e presidentit me mikeshat e tij të lojërave të seksit, duke filluar që nga prostituta Judith Campbell Exner e deri tek e famshmja Marilyn Monroe, dhoma e gjumit e të cilës ishte tej mase e zënë nga të dy vëllezërit Kennedy.

Edwina Currie

Edëina Currie ka qenë deputete në parlamentin britanik prej vitit 1983 deri në vitin 1997. Zbulimi i marrëdhënies 4-vjeçare me ish-kryeministrin britanik, e cila fillonte në vitin 1984 dhe mbaronte më 1988 shkaktoi shumë  bujë. Marrëdhënia kishte filluar kur ajo ishte deputete e thjeshtë, ndërsa ish-kryeministri Major ishte kryetari i grupit parlamentar i qeverisë që drejtohej nga Margaret Thatcher.

Skandali “Lewinsky”

Skandali “Lewinsky” në vitin 1998 e vuri ish-presidentin amerikan Bill Clinton në qendër të një beteje ligjore për të kërkuar të vërtetën. Mohimi i lidhjes nën betim nga ana e Clinton e përkeqësoi më shumë  problemin duke krijuar kështu përveç turpërimit dhe një problem ligjor, çka shkaktoi vënien e tij para gjyqit.

Lajmi i marrëdhënies jashtëmartesore të ish-presidentit u përhap në të  gjithë shtypin duke dhënë detaje të marrëdhënieve seksuale me vajzën 22-vjeçare.

Moshe Katsav

Moshe Katsav, ish-presidenti izraelit, në dhjetor të vitit 2011, nisi vuajten e dënimit me shtatë vite burg nën akuzën e përdhunimit dhe ngacmimeve seksuale ndaj disa vajzave të stafit të tij. Katsav, 66-vjeçar, u dënua për përdhunimin e një ish-punonjëseje femër kur ai ishte ministër dhe për sulme seksuale ndaj dy grave të tjera kur ai ishte president në vitet 2000-2007.

Numri i denoncimeve u shtuan frikshëm kur ish-punonjësja bëri ankesën e parë. Nisma më pas bëri që vajzat e tjera të ngrinin zërin për të thënë ankesën e tyre publikisht. Dënimi i Moshe u vendos të krhyej në një burg të sigurisë minimale në qendër të Izraelit duke “izoluar” dëshirën e tij për një farë kohe. Ish-presidenti në atë kohë mohoi akuzat e bëra, madje duke protestuar për pafajësi, por trupi gjykues nuk mori parasysh këtë kërkesë. Vetë Moshe, ditën kur u dha vendimi i gjykatës, tha se me këtë akt gjyqësor, Izraeli varrosi një njeri të gjallë duke bërë një padrejtësi të madhe.

Top Channel