Tokelau, kombi 100 për qind diellor

10/11/2012 00:00

Arqipelagu i vogël Tokelau, në oqeanin Paqësor, që druhet se do të jetë
ndër viktimat e para të ndryshimit të klimës, është kthyer në kombin e
parë në botë që plotëson vetëm përmes energjisë diellore të tëra nevojat
për elektricitet, duke i dhënë fund vartësisë nga materialet ndotëse
dhe të kushtueshme.

Me mbështetjen e Zelandës së Re, që administron Tokelaun, në tre zona kryesore të tij janë ndërtuar tre rrjete elektrike me energji diellore, e fundit e të cilave përfundoi punimet këtë javë.

“Projekti i energjisë së rinovueshme të Tokelaut është i pari në botë. Tre zonat e tij kanë kapacitetet e duhura diallore për të plotësuar nevojat për elektricitet”, ka deklaruar ministri i Jashtëm zelandez, Murray McCully.

“Deri tani Tokelau varej 100 për qind nga karburantet për të gjeneruar elektricitet, me pasoja të rënda ekonomike dhe ambjentale”, ka sqaruar ministri.

Ishujt e largëta të Tokelaut, me 1500 banorë, ndodhen mes Zelandës së Re dhe ishujve Hauai, me fare pak lidhje fizike me pjesën tjetër të botës.

Në këtë arqipelag nuk ka aeroport dhe duhet më shumë se një ditë udhëtim në det për të arritur në jug të tij ishullin më të afërt Samoa.

Top Channel