Aston Martin “mëson” japonisht

10/11/2012 00:00

Në një të ardhme të afërt, makina e James Bond, agjenti sekret më i famshëm në botë, mund të “flasë” japonisht.

Kolosi aziatik “Toyota” është mes blerësve potencialë të pjesës më të madhe të aksioneve të “Aston Martin”, pasi kompania kuvaitiane Investment Dar Co, ka propozuar shitjen e kuotës së saj prej 64%.

Lajmin e bën të ditur “Automotive News” që citon agjencinë Bloomberg dhe zbulon se si shoqëria kuvaitiane ka ngarkuar Rothschild për të verifikuar ekzistencën e subjekteve të interesuara për blerjen.

Nga ana e saj, “Toyota” ka rekrutuar një këshilltar për të verifikuar mundësitë e blerjes. Analiza paraprake e shtëpisë japoneze të automobilizmit pritet të përfundojë për një javë, edhe pse më parë është bërë një vlerësim i përgjithshëm i tregut.

Sipas një personi të informuar mbi faktet, por që ka kërkuar të mbetet anonim, mes blerësve potencialë është edhe ndërtuesi indian Mahindra.

Por negociatat për shitjen e “Aston Martin” janë ngadalësuar për shkak të kërkesës së Investment Dar Co për të pasur në këmbim të njëjtën shifër prej 800 milionë dollarësh që ajo pagoi për të blerë markën britanike nga “Ford” pesë vjet më parë. Por kërkesa në fjalë nuk është mirëpritur nga blerësit e interesuar.

Kompania kuvajtiane ka motive të mira për të shitur “Aston Martin”, pasi shkurtin e kaluar ka rinegociuar një borxh prej 4.9 miliardë dollarësh, pasi nuk shleu një kredi në maj të 2009-ës. 

Top Channel