Bosi i drogës shndërrohet në model

09/11/2012 13:50

Një prej bosëve të drogës më të mëdhenj dhe të frikshëm të Amerikës së Jugut do të ngjitet në pasarelë, si një model mashkull në paradën më të rëndësishme të modës në Brazil.

27-vjeçari Diego Santos ishte deri së fundmi drejtuesi i një prej karteleve më të fuqishme në favelat e Rio de Zhaneiros.

Megjithatë, drejtuesi i një rrjeti madhor të narkotrafikantëve, i njohur ndryshe si “Mister M.”, do të jetë një prej tërheqjeve më të mëdha të javës së modës në Sao Paulo.

I arrestuar në vitin 2010 pas 12 vitesh aktiviteti kriminal, pasi ushtria hyri në geto (të njohura si favelas në portugalisht), Santos u lirua me kusht pas nëntë muajsh burgimi.

Megjithatë, pasi në momentin e arrestimit të tij fotografia u vendos në faqet e para të të gjitha gazetave, një prej stilistëve më të mëdhenj u tërhoq prej pamjes së Santos, duke i ofruar një vend pune si model, të cilën 27-vjeçari e pranoi.

Tashmë, ish-bosi i drogës, ka filluar të shohë anën e bukur edhe të jetës në pasarelë. “Dikur, me aktivitetin që merresha, fitoja shumë para, por nuk mund t’i shpenzoja dhe nuk mund të dilja nga lagjia pa rrezikuar jetën. Tani jetoj me më pak para, por mund të bëj gjithçka që dua dhe kjo nuk ka çmim”, deklaroi ai.

Getot (favelat) e Rio de Zhaneiros, atje ku Santos u shnderrua ne nje bos droge perpara se te niste karrieren e tij si model (ne foto lart)

Top Channel