Bie “lindshmëria” e universit

09/11/2012 11:50

Universi pothuajse ka përfunduar aktivitetin e tij krijues, me lindjen e yjeve që tashmë është shndërruar në një fenomen të rrallë.

Ky është përfundimi i një grup astronomësh ndërkombëtarë, që arritën në përfundimin se milionat e yjeve, planeve, sateliteve dhe trupave të tjerë qiellorë, përbëjnë në total 95% të të gjithë trupave që do të ekzistojnë ndonjëherë.

Studimi i realizua nëpërmjet shfrytëzimit të tre megateleskopëve, në Britani, Kili dhe SHBA.

Sipas astronomëve, gjysma e yjeve që kanë ekzistuar ndonjëherë janë krijuar ndërmjet 9-11 miliardë vjet më parë, ndërsa pjesa tjetër është krijuar që prej atëherë.

Në studimin e publikuar në një revistë shkencore, shpjegohet se që prej nëntë miliardë viteve më parë, procesi i krijimit të yjeve dhe trupave të rinj ka rënë në mënyrë të vazhdueshme dhe drastike, prandaj në përllogaritjet e astronomëve, universi mund të pasurohet me vetëm 5% të totalit të përgjithshëm të trupave që mbart aktualisht.

”Jetojmë qartësisht në një univers të mbizotëruar nga yjet e vjetra. Pothuajse çdo zhvillim në univers ka ndodhur disa miliarë vite më parë. Sot, procesi i lindjes së yjeve e trupave të rinj është 30 herë më i ulët se maksimumi i tij 11 miliardë vjet më parë”, deklaroi David Sobral, një doktor i Universitetit të Shkencave në Lajden, Holandë.

Top Channel