Qëllon pranë shtëpisë së William&Kate, polici nën hetim

03/11/2012 04:25

Scotland Yard ka nisur një investigim të rangut të lartë, pasi një
oficer që duhej të ruante Dukën dhe Dukeshën e Cambridge, qëlloi
aksidentalisht me armën e tij, jashtë shtëpisë së tyre.

Polici ishte në detyrë në shtëpinë e çiftit të dhënë me qira në Anglesey, në veri të Uellsit, ku Princi William punon si një pilot kërkim-zhvillimi në Luginën RAF.

William nuk ishte në bazë në atë moment, por gruaja e tij, Kate Middleton, besohet të ishte në shtëpi, edhe pse burimet theksojnë se ajo nuk ishte e rrezikuar nga e shtëna.

Incidenti ndodhi gjatë mesditës së të mërkurës, javën e kaluar, kur oficeri – emri i të cilit nuk bëhet i ditur – ishte në një makinë të paidentifikuar jashtë pronës në fjalë.

Sipas policisë së metropolit, ai “zbrazi pa dashje armën e tij”. Plumbi u drejtua poshtë makinës së tij – besohet se ishte një Range Rover – por fatmirësisht oficeri, dhe kolegu i tij shoqërues që ishte në makinë, nuk u dëmtuan.

Gjithsesi, ai u largua nga detyrat me armë zjarri nëpër duar, si proçedurë rutinë, duke pritur verdiktin e hetimit.

Oficerët mbrojtës të Mbretërisë përdorin zakonisht armën austriake “Glock”, një pistoletë gjysmë-automatike 9mm.

Ajo njihet si një pistoletë “e veprimeve të sigurta”, por është përfshirë në disa incidente radhazi të forcave të sigurisë.

Top Channel