Drejt përfundimit hoteli “fantazmë”

02/11/2012 21:35

Hoteli 105-katësh që mbizotëron pamjen e kryeqytetit të Koresë së Veriut, Penianit, mund të hapet vitin e ardhshëm, 26 vjet pasi nisën punimet në të.

Me 150 dhoma dhe katet e poshtme të konceptuar si restorante dhe dyqane luksoze, hoteli “Ryugyong” nisi të ndërtohej në vitin 1987 dhe është shndërruar që prej atëherë në një simbol të problemeve të mëdha ekonomike që ka pasur vendi komunist më i izoluar në botë.

Me 330 metra lartësi, hoteli i pagëzuar nga mediat ndërkombëtare si “Hoteli Fantazmë” futet midis 50 ndërtesave më të larta të botës dhe e pesta në total për numër katesh.

Në fakt, hoteli duhet të kishte përfunduar punimet që në vitin 1989, por kriza e thellë ekonomike që përfshiu vendin pas shpërbërjes së bllokut komunist, bëri që fondet të shteronin dhe në vitin 1992, ndërtimi u ndërpre.

Sipas analistëve ndërkombëtarë, pamja e hotelit të papërfunduar në zemër të kryeqytetit është shndërruar në një siklet ndërkombëtar për lidershipin e Koresë së Veriut.

E votuar nga një revistë amerikane si ndërtesa më e keqe në historinë e njerizimit, “Hoteli Ryogyong” i ka kushtuar një prej shteteve më të varfëra në botë rreth 300 milionë euro vetëm për fasadën e tij.

Top Channel