Kina drejt heqjes së kufizimit të një fëmije

31/10/2012 16:20

Një raport i një agjensie qeveritare në Kinë i kërkon urgjentisht Pekinit zyrtar që të heqë dorë nga kufizimi i një fëmije për çift, duke rritur këtë kufizim në të paktën dy fëmijë.

Një rregull i imponuar nga shteti që në vitet 1980, ai i kufizimit të një fëmije për çdo familje ka ndihmuar vendin më të populluar në botë që të vendosë nën kontroll problemin e mbipopullimit, por disa dekada më pas, tashmë Kina po përballet me problemin e plakjes së popullsisë.

Si pasojë e kësaj politike dhe përmirësimit të standartit të jetesës, popullsia kineze ka prej strukturave demografike më të çrregulluara në botë, ndikuar nga fakti se përpara se të vendosej ligji, ishte e zakonshme që në vend të kishte familje me shumë fëmijë.

Sipas Agjensisë së Lajmeve “Xinhua”, përballë raportit kritik, qeveria kineze pritet të lejojë nga dy fëmijë për familje në disa zona duke nisur nga viti i ardhshëm, për të liberalizuar politikën e kufizimit të lindjes në dy fëmijë plotësisht për të gjithë vendin në 2015-n.

Në bazë të rekomandimit, kufizimet për pasjen e fëmijëve mund të hiqen tërësisht brenda vitit 2020.

“Kina ka paguar një kostot tepër të madhe politike dhe sociale për polikën e kufizimit në një lindje, e cila ka shkaktuar problem sociale, kosto të larta administrative dhe në plan afatgjatë, çrregullimin e strukturës demografike”, shkruante “Xinhua”, duke cituar raportin.

Aktualisht, një çift në Kinë lejohet të ketë vetëm një fëmijë ligjërisht, ndërsa për të dytin duhet të paguajnë taksa të rënda. Nëse një nënë ngel shtatzanë për herë të tretë, ajo detyrohet të abortojë forcërisht, ndërsa përjashtime bëhen në rastin e binjakëve, të cilët me ligj trajtohen si një lindje e vetme.

Top Channel