Skolioza, sëmundja e rrezikshme e shtyllës kurrizore

25/10/2012 17:40

Manifestohet si shtrembërim i boshtit të kurrizit. Kjo është skolioza, një sëmundje gjerësisht e përhapur në popullatë dhe që konsiderohet si një prej patologjive që prish ndjeshëm cilësinë e jetës së pacientëve.

Sipas mjekut ortoped pranë Spitalit Amerikan, Ervin Priftaj, kjo sëmundje ka një përhapje shumë të gjerë në popullatë: “Skolioza është deformim i shtyllës kurrizore. Në përgjithësi pacienti deformohet në njërin krah dhe merr formën e gërmës S. Kemi të bëjmë me një dëmtim 3 dimensional. 5% e popullsisë botërore është e prekur, prej të cilëve 81% nuk dihen shkaqet, 15% e lindur dhe rreth 10% nervore-muskulare. Prek të gjitha moshat.”

Pamja estetike është e keqja më e vogël ku ndikon skolioza. Pacientët e prekur prej saj vuajnë nga një sërë patologjish që vijnë si zinxhir për shkak të deformimit shumë të thyer fizik.

“Nga deformimi deformohet kafazi i kraharorit duke shtypur zemrën dhe mushkërinë. Funksioni i tyre ulet dhe fillojnë dhimbjet dhe kufizimi i aktiviteteve”, shprehet Priftaj.

Skolioza është një sëmundje e trajtueshme nëse kapet në kohë. Në rastet kur deformimi i shtyllës kurrizore nuk shoqërohet me simptoma, ndiqet me terapi të veçantë. Kur deformimi është midis 20 dhe 40 gradëve, rastet trajtohen duke mbajtur veshje të specializuara. Kur deformimi i kalon 40 gradët, atëherë zgjidhja e vetme mbetet operacioni.

Operacioni i skoliozës është realizuar me sukses në 20 pacientë të trajtuar pranë Spitalit Amerikan.

Top Channel