Pa asnjë masë sigurie 15 metra mbi tokë

25/10/2012 16:40

Kalimtarë të rastit në Britaninë e Madhe mbetën të shtangur, kur panë një person duke qëndruar mbi parvazet e dritareve të një godine shumëkatëshe, në qytetin e Bathit, në Somerset.

Lajmi u raportua nga “Daily Mail”, e cila saktësoi se shumë prej kalimtarëve telefonuan policinë për t’i raportuar ngjarjen.

Megjithatë, ndryshe nga sa mund të mendohej, personi i ndodhur në këto kushte nuk ishte duke kryer një tentativë vetvrasje, por vetëm detyrën e tij.

Ai ishte një fshirës xhamash, i cili në këto kushte tejet të rrezikshme, në një distancë 10-15 metra nga toka, punonte duke ruajtur një ekuilibër të habitshëm edhe për një pjestar cirku, pa marrë asnjë masë mbrojtëse që të mund t’i shpëtonte jetën në rast se do të rrëzohej.

Në një deklaratë, hoteli që kishte punësuar fshirësin e xhamave, u shpreh se paraqitja në detyrë në këto kushte ishte bërë me zgjedhjen e punëtorit, por pa dijeninë e hotelit, që siguroi se nuk do të kishte lejuar kurrë që diçka e tillë të ndodhte me vetëdije.

Ndërkohë, ndërsa pastruesi i shoqërua në një komisariat pas përfundimit të detyrës, fotografitë e tij gjatë minutave që mbajtën në ankth disa dhjetëra kalimtarë u publikuan në pothuajse të gjitha uebsajtet e gazetave britanike gjatë së enjtes.

Top Channel