Microsoft hedh në treg Surface

24/10/2012 16:25

Microsoft nxorri në shitje prodhimet e para të “Surface”, tableti që zyrtarisht do të prezantohet ditën e premte.

“Surface” synon të konkurojë tregun që ka nisur të popullohet ndjeshëm tashmë me tablete, që nga iPad i famshëm, Samsung Galaxy Note e deri tek Kindle Fire të Amazon apo Nexus7 të Google. Në ndryshim nga të tjerët, “Surface” mburret me hardware-in e tij, ndërsa sa për aplikacionet dhe softe të tjera ka marrë kritika të forta.

Tableti i Microsoft është 32 dhe 64 GB, i pari kushton rreth 500 euro, i dyti 700 euro, ka si sistem operimi një version të Windows 8, e cila vetë do të prezantohet zyrtarisht më 25 tetor në Nju Jork.

Vjeshta ka qenë e nxehtë me risitë teknologjike të kompanive rivale. Pas hedhjes së iPhone5 në shtator, tetori ka pasur me një sërë produktesh të reja nga Samsung, Microsoft dhe Google. Më 24 tetor, Samsung prezanton në Nju Jork Galaxy Note 2, një hibrid mes tabletit dhe telefonit. Po në Nju Jork, Microsoft një ditë me pas do të prezantojë sistemin e operimit, Windows 8. Më 29, sërish në Nju Jork, Google mbane eventin e Androidëve, ndoshta me risi për tabletin e saj, Nexus.

Në të njëjtën ditë, por këtë herë në San Francisko, Microsoft do të prezantojë Windows Phone 8, sistemi i operimit për telefonë.

Top Channel