Kiço Fotiadhi, ikona e ekranit shqiptar

24/10/2012 18:25

Për 30 vjet me radhë, zëri dhe portreti i tij ka shoqëruar çdo mbrëmje shqiptarët nga ekrani i vetëm shqiptar.

Kiço Fotiadhi është figura e parë e historisë së Televizionit në vendin tonë. Më 13 mars të vitit 1963 ai dha për herë të parë lajmet në studion e parë televizive  ku qëndroi deri në vitin 1994.

Asokohe ishte vetëm 23 vjeç dhe studionte për aktrim, por thirrja për t’iu përkushtuar televizionit e ndau përfundimisht nga rruga e artit.

Një thirrje që nuk ishte krejt e rastësishme. Zëri i tij ishte bërë tashmë i dashur nëpërmjet valëve të Radio Tiranës, që atëheherë quhej, Radio Difuzioni, që në 1959 ku ai punonte si bashkëpunëtor.

Portreti ishte gjithashtu, i prerë për një studio televizive dhe aq më tepër për edicionin e lajmeve i cili s’ishte thjesht një emision lajmesh. Bëhej fjalë për çeljen e një historie të re zhvillimi të televizionit eksperimental shqiptar.

Kiço Fotiadhi do të jepte lajmet në një studio, kur vetë nuk kishte parë ende me sytë e tij një aparat televizori. Në atë kohë në gjithë Tiranën nuk kishte më shumë se 20-30 familje që kishin televizorë.

E megjithatë, gjatë 30 viteve të karrierës së tij gazetareske, ai arriti të hynte në çdo familje shqiptare duke lënë si gjurmë të paharrueshme, zërin dhe portretin e tij.

Top Channel